Kombëtarja e Japonisë e nisi aventurën e saj në Kupën e Botës me një barazim 2:2 ndaj Holandës, në një ndeshje që dhuroi emocione dhe spektakël për tifozët.
Megjithatë, vëmendjen pas përfundimit të takimit nuk e morën vetëm futbollistët në fushë, por edhe tifozët japonezë në tribuna, të cilët vazhduan traditën e tyre të admiruar në mbarë botën.
Menjëherë pas ndeshjes, mbështetësit e Japonisë u panë duke mbledhur mbeturinat dhe duke pastruar sektorët ku kishin qëndruar gjatë takimit, duke lënë tribunat pothuajse të pastra.
E për këtë veprim, shtëpia e Futbollit Botëror, FIFA, ka publikuar një video ku shihen tifozët të shumtë duke mbledhur të gjitha mbeturinat në stadium.
Ky veprim tashmë është kthyer në një simbol të kulturës dhe disiplinës së tifozëve japonezë, të cilët në çdo turne madhor ndërkombëtar japin shembull me sjelljen e tyre brenda dhe jashtë stadiumeve.
Nuk është hera e parë që tifozët japonezë bëhen lajm për gjeste të tilla, pasi edhe në Botërorët dhe turnetë e mëparshëm ata kanë treguar kulturë të lartë sportive, duke dëshmuar se futbolli nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndodh në fushë, por edhe me sjelljen në tribuna.
