Mos më lër të tretem në harrim,
kur rrugët ulërijnë me zëra që thërrasin,
kur hapa të humbur kërkojnë guxim,
që dritën e brishtë në terr mos e përplasin.
Do ketë gjemba që n’shpirt hyjnë pa mëshirë,
do ketë plagë që në heshtje rëndë flasin,
por nga hiri ynë do ngrihet një dëshirë,
që edhe fatin me duart tona ta vrasim.
Mos më humb në këtë kohë pa kthim,
kur yjet duken si hi i ftohtë në qiell,
ata presin një frymë, një shpirt, një agim,
që t’i ndezë sërish me një rreze diell.
Dhe n’errësirë, kur shpresa bëhet vegim,
mos lejo që zemra t’tretet e t’mbetet pa zë,
se drita lind sërish nga një thirrje, një kujtim,
kur dy shpirtra s’pranojnë t’humbasin më.
Ëndrra t’lodhura enden pranë nesh,
kërkojnë një prekje, një strehë të ngrohtë,
në këtë botë t’ftohtë, t’ashpër e pa shpresë,
ku ngrohtësia rrallë lind si dritë e plotë.
Mos më lër t’humbas mes vetes së shpërndarë,
mes hijesh që më ndjekin pa adresë,
jam ende këtu, edhe pse në shpirt e ndarë,
duke kërkuar tek ti një pjesë.
Dhe ti, në mijëra forma që m’thërret,
si një jehonë që nuk shuhet kurrë,
mos i këput fijet që zemra i thur vetë,
se shpirti rrjedh në errësirë si ujë në gurrë.
Mos më humb…jo tani…jo kurrë,
se edhe fundi kërkon një fillim të ri,
dhe nëse mbetemi bashkë në këtë udhë,
përjetësia merr kuptim vetëm në ne të dy.
Edhe kur koha të na vërë në provë,
dhe hijet t’mundohen t’na ndajnë n’errësirë,
ne prapë do jemi dritë që s’shuhet në kohë,
dy zemra që rrahin bashkë, pa mbarim e me dëshirë.
Dhe nëse bota përreth nesh rrënohet,
ne prapë do gjejmë njëri-tjetrin në dritë,
se dashuria as në hi nuk shkatërrohet,
kur dy zemra bëhen një, përgjithmonë n’çdo ditë.
