Më i rrezikshmi s’është ai që plagë t’lë n’sy,
por ai që t’ledhaton e t’hedh helmin n’gji.
Me fjalë si pambuk, me pamje plot fisnikëri,
mbulon me vellon e dritës errësirën në njeri.
Ta lëkund kujtesën si gjethe në erë,
e të bind se fajin e ke ti përherë.
Pasqyrës i zbeh dritën, arsyes i vë mjegull,
e zemra jote nis të kërkojë një tjetër rregull.
Në sheshet e botës ngjan lis i drejtë n’stuhi,
por rrënjët i ka t’zhytur n’fundin e llumit t’zi.
Gënjeshtrën e zbukuron si stoli mbi ballë,
e t’vërtetën e mbyt n’heshtje, dalëngadalë.
S’është i rrezikshëm ai që shpatën zbulon,
por ai që me buzëqeshje plagë të dhuron.
Me fjalë prej mëndafshi, me sy plot qetësi,
fsheh dimrin nën petkun e një pranvere gri.
Kur i flet për ndershmëri, t’quan mosbesim,
kur mbron vlerat, t’thotë krenari pa qëllim.
Ti e mban barrën që s’të përkiste kurrë,
ndërsa ai buzëqesh…si më i miri burrë.
Me përkëdhelje, të vë prangat e ftohta,
me mjaltin e buzëve ushqen fjalë të kota.
Në skenën e jetës luan rolin e të lënduarit,
pas perdes numëron fitoret e t’mashtruarit.
Njeriun mos e mat nga zëri që di si t’prek,
por nga gjurma që lë, kur askush s’e ndjek.
Se fjala zbukuron për një çast kalimtar,
por vepra mbetet vula e karakterit njerëzor.
Mos u verbo nga fjala që shkëlqen si ar,
shih ç’pasoja lë ai që quhet burrë krenar.
Se dashuria nuk lind mbi frikë e mashtrim,
por mbi vetëkontoll, përgjegjësi e besim.
Maska s’është fytyrë, as hija s’është dritë,
koha ua gris rrobat trillimeve çdo ditë.
E drejta vonon por rrugën kurrë s’e humbet,
rrëzon gënjeshtrat, shtirjet dhe qetë troket.
Maska është letër përballë shiut të kohës,
dhe hija tretet sapo zgjohet agimi i botës.
Hipokrizia s’e mposht dot përjetësinë,
se e vërteta ecën përkrah me madhështinë.
Kur bie maska, heshtja buçet mbi çdo zë,
shpirti sheh atë që syri s’arriti ta shohë më.
E kupton se drita s’ka nevojë për stoli…
se vetëm realiteti mbetet në përjetësi.
Kur maska çirret, e vërteta merr fytyrë,
bie kalaja e ngritur mbi sjelljen e shtirë.
E kupton se dielli s’ka nevojë për zbukurim,
se sinqeriteti lind respekt dhe mirëkuptim.
