Brenda një ishulli, si brenda një libri pa fletë,
krijohen dallgë deti të tjera;
largësitë
i mat me hapa të lehtë,
thellësitë në kohë
i merr era
e t’i sjell një varg poeti,
i lindur ndër dallgë;
si herë të tjera,
e krijon një Itakë.
Brenda një ishulli që Itakës i ngjan,
krijuar me kohë, me hapa dhe fjalë,
gdhende në mermer të bardhë
hapin tënd,
jepi pak vend!
Pastaj, një kujtim mbaje mbi vete,
e dehe me frymë,
siç dehet mbi mal
vështrimi që te një ishull ndal,
i shpirtit tënd pelegrin.
