Dhe kjo natë më humbi,
gjumin ma rrëmbeu pa zë.
Zgjuar po rri, duke numëruar rrahjet
që dikur i ndjeja pranë
e tani më mungojnë si frymë.
“Nëse gjumi s’të përket ty, ai fle në kraharorin tim,
dhe rreh për ty pa pushim,
si një zjarr që më djeg ngadalë e nuk di të shuhet”…
Zëri i saj më ndjek në çdo hap,
edhe kur errësira bëhet e plotë.
Vërtet, dritë nuk ka,
po brenda meje diçka digjet, diçka ndrin,
një ngrohtësi që nga dielli nuk vjen,
por nga afshi saj.
Natës nuk i trembem më.
Ajo i ruan të gjitha që s’i themi,
i mban si sekretet tona të mbyllura,
aty, zemrat gjejnë strehë
dhe bashkë flenë edhe kur ne jemi larg.
Sa shumë e ndjej…,
sa më mungon…
Dashuria qenka e çuditshme,
ajo di të ndezë edhe errësirën.
