BallinaSportRaphinha dëshiron ta mbyllë karrierën te Barcelona

Raphinha dëshiron ta mbyllë karrierën te Barcelona

Raphinha ka shprehur dëshirën për të vazhduar karrierën te Barcelona dhe për ta mbyllur atë me fanellën e klubit katalanas.

Kapiteni i Barcelonës është duke zhvilluar sezonin e pestë në Katalonjë dhe, pas një fillimi jo të lehtë në klub, është shndërruar në një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës.

Nën drejtimin e Hansi Flickut, braziliani pati një sezon të jashtëzakonshëm në edicionin 2024/25, duke realizuar 34 gola, ndërsa Barcelona fitoi tripletën vendore. Edhe sezonin e kaluar ai vazhdoi me paraqitje të mira, duke shënuar 21 gola.

Raphinha, i cili më herët kishte pranuar se kishte shqyrtuar mundësinë e një transferimi në Arabinë Saudite, tani dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e Barcelonës për një kohë të gjatë.

“Po, planifikoj të rinovoj kontratën. Kur rinovova më parë, e bëra deri në vitin 2028, me idenë se atëherë do të isha 30 ose 31 vjeç”, ka deklaruar Raphinha.

Ai ka lënë të kuptohet se synon ta vazhdojë qëndrimin në “Camp Nou” edhe përtej kontratës aktuale.

“Duke parë mënyrën se si ka nisur ky sezon, duket se kam edhe disa vite përpara dhe do të isha shumë i lumtur nëse do të mund ta zgjasja kontratën. Shpresoj ta mbyll karrierën këtu, pa pasur nevojë të shkoj askund tjetër”, ka shtuar braziliani. 

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT