BallinaVitrina e libritDalinë Arifi-Ajo e priti

Dalinë Arifi-Ajo e priti

Ajo nuk u martua kurrë.
Priti… e priti.
Priti me ditë, me muaj…
Priti me vite, derisa pritja u bë shekullore.

Priti derisa në ballë iu qëndis rrudha e parë.
Dikë e kishte dashur shumë, që në shikim të parë.
Kishte thurur ëndrra bashkë me të,
në ëndrrën e saj të parë, ajo ishte nusja e tij.

E priti me lot në sy.
Mbajti një premtim që ia kishte bërë zemrës.
E priti t’ia shihte sërish sytë,
t’ia dëgjonte zërin,
t’ia ndiente aromën.

Kur thinjat ia mbuluan flokët,
ajo ende e shihte veten me shpresë:
“Do të vijë. Sa shumë e paskam dashur!”

Rrudhat dhe thinjat e saj
pasqyronin vuajtjet,
netët pa gjumë,
ditët pa diell,
vitet pa stinë.

Ajo e priste gjithmonë me një filxhan kafeje,
duke i kaluar mesditat
pa e kuptuar sa vite kishin ikur
dhe sa orë numëronte ora në mur.

Edhe shpresat i ishin ndryshkur
duke pritur një ardhje: sot, nesër,
e ndoshta të hënën e javës së ardhshme.

Hynin e dilnin të hënat,
shndërroheshin në vite,
por prej tij nuk u dëgjua më asnjë zë.

Ajo e priti…
Ai kurrë nuk erdhi.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT