Mbi një ferrë, rrëzë një muri,
Plugu me vesh të thyer fle,
Atje ku dora e një burri,
S’e ngre dot përmbi dhe’.
I ndryshkur, i mbytur në bar,
Kujton kohën kur çante në arë,
Dhe fshati kishte jetë e zjarr,
Bujku me gëzim hidhte farë.
Sot tokat janë të braktisura,
Sikur mbajnë zi për të zotët,
Mbi to plugje të ndryshkura,
I mbulon pluhuri dhe lotët.
Rinia iku rrugëve të botës,
Gërmadhat mbetën si dëshmi,
Mbi vatrat e vjetra të votrës,
Sot bën fole vetëm vetmi.
Dhe ai plug me vesh të thyer,
Që sot mbi ara më s’lëvron,
Pret që djemtë të jenë kthyer,
Vetëm hesht edhe shpreson.
