Një qiell prej resh mbaj nëpër supe,
Janë kaq të lodhura ditët sot.
Fjala nuk është ar në kallëpe,
Kjo vjeshtë, si gjethet, pikon lot.
Ky muaj qenka i trazuar,
Si deti i dimrit në kohë pa ngjyrë.
Shpresë e plagosur, udhëtuar,
Me dhjetëra ëndrra si borë e ngrirë.
Erërat që fryjnë bëjnë të qajnë retë,
Kur pemët shkundin ligësitë.
Ndaj mijëra fjalë që mbeten shkretë,
Treten mes syve për pakëz dritë…
Fjalët e mira s’kanë më pigmente,
Dhe rrugëve enden dashuritë.
Por jeta ka mijëra segmente,
Për ta jetuar duhet shpirt…
