Spanja do ta presë Anglinë nesër, të dielën, në stadiumin “Metropolitano”, në ndeshjet përmbyllëse të Grupit të Tretë të Ligës A në Ligën e Kombeve.
Spanja kryeson grupin me 15 pikë dhe tashmë e ka siguruar kualifikimin në çerekfinale. Anglia renditet e dyta me 12 pikë dhe gjithashtu e ka siguruar kalimin në fazën tjetër. Kësisoj, përballja e nesërme do të vendosë vetëm se cila kombëtare do ta përfundojë grupin në vendin e parë.
Declan Rice e ka komentuar përballjen me Spanjën në konferencën e sotme për shtyp, në prag të ndeshjes, sipas “Sky Sports”.
“Është një ndeshje shumë e madhe dhe nuk besoj se ka përballje më të mëdha sesa një finale e Ligës së Kampionëve apo një gjysmëfinale kundër Argjentinës. Por, kur luan kundër Kombëtares së Spanjës, kampiones së botës, kjo të jep një motivim të jashtëzakonshëm për të dalë në fushë dhe për të fituar. Pikërisht për këtë kemi folur gjatë gjithë javës.
E mposhtëm Kroacinë dhe tani shkojmë në Spanjë për të zhvilluar një paraqitje të veçantë, për ta fituar ndeshjen dhe për të tentuar ta përfundojmë grupin në vendin e parë. Do të jemi gati për këtë përballje nesër në mbrëmje”, deklaroi mesfushori anglez.
Rice e cilësoi këtë ndeshje si një test të vërtetë për nivelin e Anglisë, duke theksuar se skuadra përballet me kritika pas çdo paraqitjeje.
“Sa herë që luajmë me fanellën e Anglisë, përballemi me pyetje rreth nivelit të paraqitjeve tona”, u shpreh ai.
Ai shtoi: “Paraqitja jonë kundër Kroacisë në ndeshjen e fundit ishte e pranueshme, por e dimë se kemi edhe më shumë për të dhënë. Besoj se përballja e nesërme do të na detyrojë ta tregojmë më të mirën tonë.
Këto janë ndeshjet në të cilat dëshiron të luash, kundër skuadrave dhe futbollistëve më të mirë. Ne kemi lojtarë që shkëlqejnë në ndeshje të tilla/Gazeta Express/
