Sot u mblodh qyteti në një funeral,
s’kishte arkivol, por kortezh tradicional.
Nuk vdiq një njeri, as mbret, as perandor,
u shua ndërgjegjja, dhe erdhën dasmorë.
Në ballë të kortezhit ecte hipokrizia,
me të zeza veshur, qante pabesia.
Me kurora, rreshtoheshin radhë tradhtarët,
pasuar nga maskarenjtë dhe nga kusarët.
Me qurravitje po vajtonin të pafytyrët,
me fjalime morali parakalonin të ndyrët.
Secili mbi arkivol nga një gur hidhte,
pa e kuptuar, që brenda tij veten po vriste.
Fjalime mbanin buzët, që s’njohën të vërtetën,
me lotë krokodili vajtonin të vdekurën.
Gënjeshtra mbante zi, mashtrimi bënte bè,
s’e e kishin dashur shumë mbi këtë dhè.
Në radhë të parë dolën njerëzit me pushtet,
që drejtësinë e kishin varrosur me kuletë.
Dhe turpi, i ftuar, s’kishte ardhur fare,
s’kish fytyrë të dilte para saj në varre.
Nderi rrinte heshtur, me plagë në kraharor,
në fund të kortezhit ecte me barrën fajtor.
E vërteta, e lidhur, rrinte pas një muri,
ndjente dhimbje, kur mbi arkivol kerciste guri.
Kush e vrau ndergjegjen? -pyeti dikush,
të gjithë u panë në sy, por s’foli askush.
Në çast seç i kapi të gjithë nje kollë,
dërdëllitën me zhurmë për më të mirin rol.
Ndërgjegjja vdiq, bota mori frymë e qetë,
s’ka më kush t’u thotë seç ç’është e drejtë.
Turpi veshi petkun e predikuesit të mirësisë,
maskarenjtë u shpallën apostuj të njerëzisë.
16/11/2011
Vellimi poetik “Vetes mos i ik”
