Fenerbahçe ka gjetur një mënyrë kreative për të vënë në pah karakterin dhe emocionet e sulmuesit kosovar, Vedat Muriqi, duke publikuar një kolazh fotografish që pasqyron shprehjet e tij të ndryshme gjatë ndeshjeve.
Faqja zyrtare e klubit turk në rrjetet sociale ka publikuar fotografinë e veçantë të sulmuesit prizrenas, të shoqëruar me mbishkrimin “The many moods of Vedat”, që në shqip përkthehet “Emocionet e shumta të Vedatit”.
Në kolazh shihen disa prej shprehjeve karakteristike të Muriqit në fushën e gjelbër, nga momentet kur shfaqet i qetë, i nervozuar, i zhgënjyer apo i hutuar, deri te festimi pas realizimit të golave.
Megjithatë, ajo që bie më së shumti në sy është se, pavarësisht emocioneve të ndryshme, shprehja e fytyrës së sulmuesit kosovar duket pothuajse e pandryshuar.
Publikimi i Fenerbahçes vjen pas paraqitjes vendimtare të Muriqit në përballjen ndaj Shakhtar Donetskut, ku ai i siguroi skuadrës turke fitoren në udhëtim.
Sulmuesi i Kosovës realizoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 56-të, duke i dhuruar Fenerbahçes tri pikë të rëndësishme në kuadër të xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Me këtë realizim, Muriqi ka arritur në kuotën e 10 golave në 20 paraqitje në të gjitha garat.

