Thursday, December 26, 2024
BallinaVitrina e libritCikel Poetik -Hamdi Gashi

Cikel Poetik -Hamdi Gashi

NËNË

Më prit sonte nënë

Më prit se do vi

Ta ndajmë gjumin bashkë

N’atë t’bukuren shtëpi

Sa shumë kisha dëshirë

Sonte këtu të vija

Qenke plakur nënë

Bashkë me ty shtëpija

 Muret i janë çarë

Por sonte jam i lumtur

Kur ti nënë je Brenda

 Shtëpija është e bukur

Të solla një lule

Dhe pak ëmbëlsirë

 Gëzuar festën nënë

 Për mot më të mirë

………………………………………………………

LULJA E VJESHTËS
Tentoja të mos pushtohesha mbrëmë
Askujt asgjë pa i thënë
Çiriu më doli në besë, s’është djegur
Në vjeshtën e ftohtë diçka e mirë ka mbetur

Tentoja të mos i hap kapitujt e shkuar
Deshtova, mëngjesi më çeli duke i lexuar
Diçka të bukur më në fund kam vërejtur
Në vjeshtën e vonë një lule ka mbetur

Zgjuar qëndrova gjithë natën
Në shtratin këmbëndryshkur
Nuk doja ta shihja lulen
Në ëndërr duke u vyshkur

…………………………………………………………….

PO LARGOHEM

Sa shumë vite bëhen sot

Në këtë vend që unë jam

Jam i vetëm në këtë tokë

T’vetmin shok gotën unë kam

S’të fal dot ty o gurbet

Sa shumë vite ti mi vodhe

S’të fal dot as ty moj vjeshtë

Për krejt lulet që mi more

Lulet t’bukura lule gurbeti

Zbukurojnë çdo shpi’ çdo derë

Duken t’bukura them me veti

Duken t’bukura por s’kanë erë

Po largohem nga ky vend

Nuk dua këtu t’qëndroj

Shkuan vitet më të mira

Dua nënën ta takoj

Atje do ta gjej qetsinë’

Nënës time t’ia puthë atë ball

Në fund prapë gjeta vetminë

Dhe dy gurë të ftohtë mbi varr

Je bërë bashkë nënë me babanë

Ndërsa unë më s’kam rrugëdalje

A guxoj t’ju them ju dua

A guxoj t’ju kërkoj falje

…………………………………………….

Biografia e autorit :

Hamdi Gashi Ka lindur më 9 gusht 1990 në Prishtinë. Mësimet e para i kreu në shkollën fillore ‘Avni Rrustemi’ në Mramor, vendin ku edhe sot jeton. Shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë në Shkollën Makinerike ‘Shtjefën Gjeçovi’. Më tej studimet i ka kryer në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë departamenti Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Merret me shkrime veçanërisht me poezi ku ka të publikuara deri më tani 55 prej tyre. Është në përfundim të librit të tij të parë i cili titullohet ‘RINA’.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT