Friday, June 20, 2025
BallinaLajme‘Në rrethanat aktuale anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pamundur’

‘Në rrethanat aktuale anëtarësimi i Kosovës në NATO është i pamundur’

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, krerët e institucioneve të shtetit kanë theksuar se në këtë situatë anëtarësim i Kosovës në NATO është i domosdoshëm dhe Kuvendi ka miratuar një rezolutë përmes së cilës i kërkon Qeverisë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për aplikim. Lidhur me këtë, profesioni i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti vlerëson se anëtarësimi me procedurë të përshpejtuar nuk është i mundur, pasi vendi nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s, derisa ekzistojnë mosnjohja e Kosovës nga katër shtete në radhët e aleancës.

Hoti thotë se një kërkesë e tillë e Kosovës do të mund të vihej në konsideratë vetëm nëse do të ndryshonin rregullat e lojës nga fuqitë e mëdha.

“Në rrethanat aktuale mendoj që definitivisht është e pamundshme, madje është edhe krejtësisht e paimagjinueshme nisur nga fakti që ne kemi probleme, e para të mosnjohje nga disa vende të BE-së, e dyta probleme të fqinjësisë dhe mungesës së komunikimit, pra që është kriter politik si për NATO-n, ashtu edhe Bashkimin Evropian, dhe është krejtësisht e paimagjinueshme se si një vend që nuk e ka të përmbyllur procesin e dialogut dhe epilogun e mosmarrëveshjes me Serbinë të bëhemi pjesë e BE-së”, thotë Hoti për KosovaPress.

Ai thotë se krejt çka mund të bëjë Kosova në këtë situatë, në rast se e zyrtarizon kërkesën për anëtarësim, është fakti që nëse do të hapej ndonjë mundësi shteti do të ishte në agjendë.

“Është procedurë ose veprim i mirë i Kuvendit të Kosovës të paktën në kuptimin politik por ajo që duket vërtetë paradoksale dhe nuk duket absolutisht më vend është thirrja për kampanja të caktuara përmes rrjeteve sociale për të ndërmarrë veprime të tilla sepse anëtarësimi në organizata ndërkombëtare nuk është çështje e rrjeteve sociale, është fund e krye e plotësimit të kushteve dhe kritereve politike dhe juridik,”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, në Kosovë janë bërë më të zëshme thirrjet për anëtarësimin e vendit në NATO.

Sipas politikës së dyerve të hapura të NATO-s, çdo vendim për zgjerim duhet të merret me marrëveshje unanime.

E në radhët e NATO-s janë katër shtete që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Greqia, Spanja, Rumania dhe Sllovakia.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT