Sa ambël n’mbramje shqimet drita e diellit
Qi bie kadalkadalë andej kah Ana
E Malit tue lân mbrapa ngjyra t’tâna:
Zambakë ar vjollca e fletza drandofillit.
E n’at zjarrm lulesh, ndez’ ndër skaje t’qiellit
Vizaton Rozafati gurt vigâna,
E nëpër hyj qi kallen n’qiellt e gjâna
Del si vetull hyjneshe hâna e prillit.
Prej Maranajt zbret hana (nga erdh dita)
Për me fik’ ngjyrat qi pat falun drita.
E Shkodra n’hije pak nga pak, qe, humbë.
Minaret përmbi të, t’bardha n’ajri,
Sogje qiellore duken qi e ruejn’ n’gjumë
Kur flên nën hyj qi ia mblojn’qiellt unjí.
Poezi nga Ernest Koliqi