Një fllad I lehtë filloi të frynte përjashta ,
Hëna u fsheh dhe u duk sikur koha u prish,
Urimet kishin nisur të vinin nga rrugët e largëta,
Me fjalë të vogla shpirti, që mbrëmjen e grish.
Ngrihu ngadalë, dritaren hap,flladin a e ndjen?
Është dashuria që tani vjen bashkë me të.
Edhe nëse ti mbyll derën ajo vjen dhe të gjen,
Malluar të thotë, sonte, lërmë me ty të flë.
Por gjumë as ti ske, bën kot sikur dremit ,
Pret orën të trokasë dymbëdhjetë herë pa ndaluar,
Një urim pret ,që rri i fshehur fund-zemre si heremit,
Të vijë i pari atë moment dashuria e mban zgjuar.
Deri në atë çast zgjuar të rrimë, të mos flemë gjumë,
Ti prit urimet ,që nga larg vijnë, një dhe unë ta dërgoj,
Me fjalë të thjeshta, njëmijë urime e ndoshta dhe më shumë,
Si puhizë do ndjesh mallin tim, që bashkë me to të çoj.
Çohu, hape pra, hape vetëm pak dritaren tani,
E gjitha që do të ndjesh është e imja dashuri.
