BallinaVitrina e libritAriel Bella-ZËRI QË OSHTIN NË ERRËSIRË

Ariel Bella-ZËRI QË OSHTIN NË ERRËSIRË

Kur fiket ekrani i fundit në shtëpi,
errësira nuk vjen menjëherë.
Ajo zë vend fillimisht në qoshet e dhomës,
si një kafshë e ulur
që pret të na hajë vetminë.

Në këtë dritëhije,
unë nuk jam më as vajza e dikujt,
as punëtorja,
as numri i llogarisë.
Jam thjesht një frymëmarrje
që kërkon një frymëmarrje tjetër në errësirë,
por dëgjon vetëm…
Një zë që duket sikur të thërret:
“Prehu në krahët e mi…”

Mos ndoshta është vetmia
ajo që na ka futur nëpër qorrsokake?
Mos ndoshta ky zë që nuk dëgjohet, por oshtin,
është ndërgjegjja që s’të lë të qetë?
Çfarë bëre?
Si kalove?
Si u solle?
Dhe brengat nuk të lënë më të flesh.

Por jo…
Nata ka magjinë e saj.
Edhe pse ndonjëherë duket
sikur do të na gllabërojë
në misterin e errësirës,
ajo fsheh brenda vetes
paqe, ëndrra, dashuri…
Një gjoks ku të mbështetesh qetësisht,
një krah që të mban mbështjellë,
ndërsa pret që e nesërmja të vijë e bardhë.
Larg atij zëri që të kall frikën…
Larg vetmisë ziliqare.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT