BallinaSportArsenali mbetet duarbosh, Chelsea fiton garën për Morgan Rogers me një shifër...

Arsenali mbetet duarbosh, Chelsea fiton garën për Morgan Rogers me një shifër rekord

Chelsea ka arritur marrëveshje verbale me Aston Villan për transferimin e Morgan Rogers.

Sipas burimeve të afërta me situatën, të cilat kanë folur në kushte anonimiteti, oferta prej rreth 137 milionë eurosh është pranuar nga Aston Villa, megjithëse marrëveshja përfundimtare për transferimin e mesfushorit ofensiv ende është duke u finalizuar.

Rogers ka arritur marrëveshje personale me Chelsean për një kontratë gjashtëvjeçare, e cila do ta mbajë në “Stamford Bridge” deri në vitin 2032, me opsion për zgjatje edhe për një sezon tjetër. Testet mjekësore janë planifikuar të zhvillohen të hënën.

Futbollisti 23-vjeçar dëshiron të transferohet te Chelsea, ku projekti i klubit dhe prania e trajnerit të ri Xabi Alonso kanë qenë faktorë vendimtarë në zgjedhjen e tij.

Edhe Arsenali kishte shfaqur interesim për reprezentuesin anglez, por Rogers ka zgjedhur Chelsean si destinacionin e tij të preferuar.

Ky transferim pritet të bëhet blerja më e shtrenjtë në historinë e Chelseat, duke kaluar rekordin aktual prej 121 milionë eurosh, të paguara për Enzo Fernandez nga Benfica në afatin kalimtar të janarit 2023.

The Athletic kishte raportuar në qershor se ekzistonte pritshmëria që Rogers të largohej nga Aston Villa këtë verë, ndërsa mes klubeve të interesuara ishin pikërisht Chelsea dhe Arsenali.

Kontrata aktuale e Rogers me Aston Villan skadon në vitin 2030, pasi ai rinovoi marrëveshjen në nëntor të vitit 2024. Ky rinovim i shtoi një vit kontratës së mëparshme dhe e afroi pagën e tij me rëndësinë që kishte fituar në skuadrën e Unai Emeryt.

Rogers u transferua te Aston Villa nga Middlesbrough në shkurt të vitit 2024 për një tarifë fillestare prej 8.2 milionë eurosh, plus rreth 9.4 milionë euro në formë bonusesh. Middlesbrough gjithashtu ka ruajtur një klauzolë prej 20 për qind nga shitja e ardhshme e lojtarit.

I rritur në akademitë e West Bromwich Albion dhe Manchester Cityt, Rogers është shndërruar në një nga mesfushorët ofensivë më në formë në Ligën Premier gjatë dy sezoneve të fundit, duke realizuar 31 gola dhe 29 asistime në 125 paraqitje me fanellën e Aston Villës../Demokracia.com/

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT