Kurrë s’u pendova që të desha,
të desha shumë,
sa çdo natë lutesha për ty,
harroja veten, harroja dhimbjen time.
Ma more zemrën dhe ike,
prapë prita, pata shpresë.
Mbase nesër do të më duash.
Ikën vitet, mbeta duke të dashur,
duke dashur dikë që iku.
Ma more lumturinë,
ëndrrën e vetme.
Me pulëbardhat fluturuan,
por unë prapë të dua,
të dua sikur atëherë
kur të pashë
dhe zemra më rrahu ndryshe.
Tash e sa vite kanë kaluar,
unë nuk të harrova kurrë.
Je mendimi im i parë kur zgjohem
dhe i fundit kur bie të fle.
Ma more zemrën dhe ike,
e unë prita,
ndoshta nesër do të më duash.
Nuk e di nëse duhet të të mallkoj,
sepse të harroj nuk mundem.
Do të të dua
derisa kjo zemër
ta përqafojë vdekjen.
