Në paretet e zemrës, rrinë strukur “ato”
këmbanat pa tinguj, dashuritë platonike,
të brishtat e të fortat, sa thyejnë një burrë,
“malli” për dikë… që nuk e pate kurrë!
Dashuritë e heshtura, me fjalët që s’u thanë,
dashuritë pa duar që nuk prekën kurrë,
delikatet gonxhe në kopshtin e lulëzuar,
e po aq të ngjashme… me tokën e minuar!
Dashuritë sublime, si vetë e vërteta,
e një zemre që jep e asgjë nuk kërkon,
ngjajn’ me ujin e freskët që nuk pihet kurrë,
dhe pse zhegu djeg e shpirti përvëlon.
Dashuritë që rrisin e “ndërtojnë” Njeriun,
s’e kupton si ndodhin – thjesht të vijnë në shteg,
janë shpirtra pa trup e udhëtime pa fund,
dallgë që shkumëzojnë, pa prekur kurrë në breg!
Fisniket dashuri që s’njohën zotërimin,
të papërmbushurat, si këngë e trishtë, e vjetër,
një shikim… dhe fryma mbetet pezull,
deri atëherë… në shikimin tjetër!
Bota pa to, s’do të ishte e njëjta,
pa durimin e shpirtrave që nuk pritën shpërblim,
pa leksionin e bukur: se dhe në pamund’si
dashuritë e tilla… mbeten Dashuri.
