BallinaVitrina e libritEmine Konushevci Durmishi-KUFIJTË E HESHTJES Ese poetike

Emine Konushevci Durmishi-KUFIJTË E HESHTJES Ese poetike

Ah, ato kohë të tjera… kur zemra fliste pa frikë dhe fjala kishte peshë, si buka në sofrën e të varfrit.

Shumë e dua jetën — si sytë dritën, si deti valët e tij, si fëmija zërin e nënës.

Por kohët më thonë: “Mendo ndryshe.”

E unë pyes veten: A thua të mendoj ndryshe, kur njeriu po harrohet nga njeriu? Kur dashuria është kthyer në fjalë të shkruara, por jo të ndjera; në premtime të bukura, por jo në vepra?

Nëse një dorë pret dorën tjetër për t’u ngritur, nëse një derë mbetet e mbyllur derisa dikush ta kujtojë ta hapë, nëse fjala mbetet peng në grykë derisa të vijë një vesh që di të dëgjojë — atëherë ku mbetet liria e shpirtit?

Nëse etja pret mëshirë, uria pret një copë bukë dhe vetmia endet brenda katër mureve të shtëpisë duke kërkuar një zë njerëzor, atëherë jeta paska kufij që edhe qielli i ndien mbi supet e kërrusura të kohës.

Por rrjedha e jetës nuk ndalet për askënd.

Të gjithë do të kalojmë — si lumi që nuk pushon kurrë, si era që ledhaton gjethet dhe humbet pas maleve të largëta e brigjeve që nuk i arrijmë dot.

As pasuria, as krenaria, as dhimbja nuk mbeten përgjithmonë.

Mbetet vetëm kujtimi i asaj zemre që dinte ta donte njeriun pa interes, pa kushte dhe pa frikë.

Sepse në fund, nuk janë fjalët që na përjetësojnë, por veprat. Janë gjurmët që lëmë në zemrat e të tjerëve ato që mbijetojnë përtej kohës dhe harresës.

Mos më qani kur të hesht mes jush.

Mos mbani zi për një ëndërr që koha e mbuloi me pluhur.

Sepse rinia nuk vdes; ajo vetëm fshihet pas syve të lodhur dhe zemrave që nuk kanë më kujt t’i rrëfehen.

Por një ditë, dikush do ta largojë atë pluhur të kohës dhe do ta lexojë përsëri zërin e rinisë — atë zë të bukur që kërkonte vetëm pak dritë, pak dashuri dhe një botë ku njeriu nuk lutej për të qenë i rëndësishëm, por për të qenë i dashur, i kuptuar dhe i respektuar.

Sepse madhështia e njeriut nuk matet me atë që zotëron, por me dashurinë dhe respektin që jep.
Jo me fjalë.
Me vepra.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT