Në shtëpinë e vjetër gjeta djepin tim,
nëna e kishte ruajtur me fanatizëm e gëzim.
e shikova dhe u thellova në kujtim,
aty më përkundën valët e shpirtit tim.
E kishte varur në një shkop prej metali,
te votra, pranë oxhakut të zjarrit,
pashë saçin, saxhajakun dhe sovajkën,
relikte të votrës nga koha e largët.
Shikova lart, tavani prej druri ishte nxirë,
koha kishte bërë të vetën, por kujtimet s’ishin shkrirë,
qëndronin të shënuara në librin e jetës,
mes kohës së tashme dhe asaj të vjetrës.
U ngjita lart në dhomën time të fjetjes,
aty, në vitrinë, qëndronte romani „Me Valët e Jetës“,
isha në gjimnaz kur e lexova dikur,
me shumë vepra të tjera që i lashë aty përherë.
Nga dritarja e dhomës shikova fushat dhe malet,
bukuritë e Opojës, arat dhe livadhet,
malet e Rrencit, kodrën e Kaprës,
që nga fshati im i ndante lumi i Plavës.
Hapa dritaren, nxora kokën jashtë,
shiheshin Zymi, Bellobradi, Brruti dhe Zgatari,
në anën e djathtë Shajnja, por s’shihej Dragashi,
aty ku ishte shkolla ime e dashur – gjimnazi.
Në anën e majtë kisha Buqën dhe Breznën,
prapa shpine Zabelin dhe Shteznën,
tetëmbëdhjetë vjet të rinisë kalova në këto male,
piva ujë të ftohtë në bjeshkë e në përroje.
U mësova të rritem me zërin e bilbilit,
me aromën e luleve dhe të trëndafilit.
sa herë dilja në këtë pjesë të Sharrit,
me këngë më shoqëronin zogjtë e malit.
Nëpër lumë rridhte uji i pastër si qelibar,
ne fëmijët laheshim në gjola, mes zallit të bardhë,
Shumë gra të këtij katundi,
me burrat e tyre lanin tesha me pirajka druri.
