BallinaVitrina e libritIsa Boletini, si vdes një trim dhe si jeton një komb

Isa Boletini, si vdes një trim dhe si jeton një komb

Nga Qirici Mina

Unë jam ura mbi lumin Ribnicë.Më ndërtuan romakët për të lidhur dy brigje të qytetit Birziminium, siç quhej dikur Podgorica.
Kam ndjerë mbi kurrizin tim hapa fëmijësh dhe pleqsh, burrash dhe grash, miq dhe armiq, njerëz që iknin e njerëz që ktheheshin, ushtri që vinin me shpatë në dorë, me zjarr dhe me hekur:
Romakë, sllavë, osmanë, austro-hungarezë.
Kam përcjellë krushq e dasmorë, kuaj e mushka.
Të gjithë i kam kaluar me heshtje.
Por ditën e 23 janarit 1916 nuk e harroj kurrë.
Gjithë natën qëmtoi dëborë.
Mbuloi pullazet, rrugicat e qytetit, parmakët dhe gurët mbi shpinën time.
Vetëm uji i Ribnicës mbeti sykaltër, si një sy që nuk fle.
Tetë burra më afroheshin me hap të qetë.
Në krye ishte Isa.
Shtatlartë si lisat e Kosovës.
Xhamadanin vija-vija, si të Mic Sokolit.
Qeleshen e bardhë mbi krye, si dëbora në malet e Shqipërisë.
Thonë se një natë, në kullën e Boletinajve, nuses së re iu shfaq në ëndërr një zanë:
-Do lindësh një djalë me shtatin dhe bëmat e Mujit. Me plakun mjekërbardhë të Vlorës do të ngrejnë flamurin e lirisë.
Ditën që lindi, 15 janar 1864, i ati i vuri mbi djep pistoletën e famshme Mauser.
Ajo armë do ta shoqëronte nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, kur ishte vetëm 14 vjeç, deri në frymën e fundit.
Pas tij vinin djemtë: Halili dhe Zahidi.
Nipërit: Jonuzi dhe Halili.
Hajdar Selim Radisheva, Idris Bilimi, Misin Bala.
Papritur, një krismë e vetme theu heshtjen.
Halili ra mbi dëborë, i gjakosur.
-Tradhti, burra!- thirri Zahidi, studenti i Vjenës. – Mbroni bacën!
-Baca ju mbron juve, bir! – u përgjigj Isa. – Bashkë mbrojmë Shqipërinë!-dhe shtoi, me zë guri:
-Trimin nuk e vret plumbi.
Trimin e vret tradhtia.
Plumbat vinin nga të katër anët.
-Frika vret pas shpine!-klithi baca.
Zëri i tij u përplas mbi brigje si ortek mali.
-Isa Boletinin nuk e vret plumbi, por tradhtia e konsullit frëng!
Pabesia e gjeneralit malazez Radomir Vesoviç!
Djemtë dhe nipërit ranë një nga një, rreth tij, si degë të prera nga i njëjti trung.
Isa qëndronte në këmbë.
I vetëm.
I rrethuar.
I tradhtuar.
Sytë iu skuqën si agimi mbi male.
Lisin e godet rrufeja, por nuk e rrëzon.
Qëllonte.
Kur iu mbaruan plumbat e pushkës, nxori nga brezi Mauser-in e madh, me dorezë hekuri.
Pistoletën legjendë që kishte tmerruar armiqtë dhe habitur Londrën.
Mbi dëborë kishte më shumë xhandarë të rrëzuar se luftëtarë të rrethuar.
Isa mbështeti shpatullat e përgjakura në parmakët e mi prej guri dhe thirri:
-Unë jam mirë! Shqypnia ka me u ba!
Pastaj nxori nga gjoksi flamurin.
Krahët e shqiponjës mbuluan të rënët.
-Më vratë me tradhti e pabesi, por shqiponjën nuk e vrisni dot!
Ajo fluturon në male.
Bashkon kombin.
Xhandarët iu afruan me frikë.
Dhjetëra plumba kishin goditur trupin e tij.
Ai ende qëndronte në këmbë.
Si kulla e Boletinajve.
Me Mauser-in në dorë.
Dëbora nisi të binte përsëri.
Mbuloi rrugët e Podgoricës, brigjet e lumit dhe mua, urën e vjetër të gurit.
Të fshihte tradhtinë e konsullit frëng?
Të mbulonte pabesinë e Vesoviçit?
Apo të vishte me bardhësi trimërinë e Isës?
Para tetë ditësh kishte mbushur 52 vjeç.
Isa Boletini nuk është vetëm histori.
Është legjenda si vdes një trim dhe si jeton një komb.
Mina T. Qirici
Nga libri në proces, “Vajza që e bë këngë”, Legjenda dhe balada shqiptare.
Ilustrimi grafik AI
Tiranë, 25 maj 2026

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT