BallinaVitrina e libritKumrie Avdyl Shala-T'KISHA KRAHË TË DALLËNDYSHES

Kumrie Avdyl Shala-T’KISHA KRAHË TË DALLËNDYSHES

Sikur t’i kisha krahët e dallëndyshes,
do të vija të të vizitoja fshehurazi, si hajdute,
të ta shihja buzëqeshjen në fytyrën tënde,
ashtu siç të rrinte përballë shamibardha jote.

Sa lot derdhe për atë,
pranë gotës së helmatisur,
e sa shumë dhimbje mbajte në shpirt,
kur edhe ajo ta mori inat mungesën e forcës
për të helmuar gjakun që ti aq shumë e deshe.

E madhja shamibardha jote
të thërriste çdo mëngjes e kurajo të jepte,
por dhimbjet t’i fshehte, kurrë nuk t’i tregonte,
vetëm që fytyra jote të buzëqeshte.

E sa herë shoh njerëz të dehur,
ma kthejnë kujtesën prapa,
netët kur deheshim së bashku,
ndonëse kilometrat na ndanin,
e ne, me orë të tëra, flisnim që mallin për njëri-tjetrin ta shuanim.

Ah, sa do të doja sonte
t’i kisha krahët e dallëndyshes,
të vija fshehurazi në dhomën tënde të beqarisë,
t’i shihja ata sy të shkruar,
e ta shuaja sadopak mallin që kam për ty.

Kur kujtoj ato net të arta,
më vjen të bërtas deri në kupë të qiellit.
Më duket sikur ende ta dëgjoj zërin,
sikur edhe sot i dëgjoj të qeshurat tuaja,
ato çaste kur qeshnim e qanim së bashku.

Jo, jo, nuk do të harrohen kurrë,
ato netë të arta, ato kujtime të shtrenjta…
Do të jetojnë brenda meje
derisa sytë e mi të mbyllen përgjithmonë.

Artikulli paraprak
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT