Acar dimri, dhimbja e shpirtit tim
Në thellësi të natës, ku brenga rri
Një plagë e hapur, pa ngushëllim
A do shërohet kjo vrastare ndjesi?!
Rrokullisen lotët, mblidhen në gushë
Dhe zemra e thyer, ngadalë përkulet
Rëndon mendimi, s’ka qeshje në buzë
Zhgënjimi që ndiej, këmbëkryq ulet!
Trishtimi më ndjek, më shtrëngon
Dhe çdo kujtim, vërshim dhimbjeje sjell
Si një brengë që trurin egër dhunon
Në qetësinë e natës, ulërima mbjell!
Por, në errësirë, një dritë ende shpreson
Një forcë që më ngre, edhe pse e lënduar
Thonë që dhimbja e shpirtit një ditë kalon
Ringjallesh nga hiri, ringrihesh për të luftuar!
