Sheshi ishte mbushur plot me njerëz nga qyteza dhe 68 fshatrat shqiptarë që e rrethonin Filatin si me kurorë dafinash.
Era që frynte nga lugina e lumit Kalama sillte aromën e barit të njomë dhe të luleve, atë mëngjes maji të vitit 1887.
Bilbilat këndonin në degët e pemëve.
Gushëkuqtë cicëronin.
Dallëndyshet fluturonin gëzueshëm mbi pullazet e shtëpive.
Mali i Marganës, karakoll i lartë mbi Filat, nuk bëzante.
Pse heshtte mali?
Pse lumi Kalama, që në lashtësinë e hershme i dha emrin Çamërisë, qante me dhimbje?
Osman Taka hipi në podium.
I lidhur këmbë e duar me zinxhirë.
Koka e burrit shtatlartë ngrihej mbi litarin e varur në trekëndëshin e vdekjes.
Vdekja dhe kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për degën e Prevezës qëndronin ballë për ballë.
-Cila është dëshira jote e fundit?-pyeti kadiu, Mexhit Beu.
-Të kërcej vallen e burrave të Konispolit me sazet e Filatit të Braho Selametit.
-Tí plotësohet dëshira!-urdhëroi valiu i Janinës, Hasan Beu.
Osman Taka thirri, sa gjëmoi sheshi:
-Më sillni rrobat që vesha ditën e dasmës!
Të shkoj dhëndër në qiell!
Turma u drodh.
Ustai mori në duar klarinetën.
-Osman, o bir!
Osman, o xhan!
Unë do djeg klarinetën, ti digj vallen!
Dasma jote e dytë, trimi i xha Brahos!
Sheshi i Filatit ndali frymën.
Befas, klarineta klithi.
Trumbetë dhe kushtrim lufte!
Mali u drodh.
Bilbilat i prenë ligjërimet.
Gjithçka ngriu si një natë dimri me acar e akull.
Opingat e kuqe të Osman Takës, me xhufkat e zeza në majë, nuk preknin fare tokën; fluturonin lart dhe shkriheshin mbi retë e bardha në qiellin e Filatit.
Flakë dhe zjarr.
Flamur kuqezi.
Violina qante dhe qeshte.
Daullja gjëmonte me klithma lufte.
Lahuta sillte nanurimën e lumit Kalama.
Klarineta klithte, rënkonte, ofshante, qante, me tinguj hyjnorë, të zbritur me yjet e natës, dritën e hënës dhe shkëlqimin e rrezeve të diellit.
Katërqind palët e fustanellës së bardhë, të burrit lis, që simbolizonin ditët e vitit dhe lirinë, fluturonin e hapeshin si petale të bardha luleshqerre në qiellin e kaltër të majit.
Xhamadani i kuq, i qëndisur me fije ari, flakëronte në kraharorin e valltarit.
Kësula në kokë, zbritur nga maja me dëborë e Marganës.
Këmisha, si shkuma e detit Jon ku puthet me lumin Kalama.
Në këmbët e Osman Takës nuk vallëzonte thjesht një burrë.
Vallëzonin yjet.
Vallëzonin dielli dhe hëna.
Vallëzonin malet, fushat dhe detet.
Vallëzonte Çamëria.
Vallëzonte flamuri i Gjergj Kastriotit.
Vallëzonte kombi shqiptar, larë me gjak lirie.
Xhemile Hanëmi u mahnit.
Xhemile Hanëmi u nguros e ngriu si akulli në bredhat e pyllit.
Nuk e përmbajti klithmën kur valltari bëri urën, pa prekur dyshemenë me kurriz.
Ura që lidh brigjet.
Ura që lidh njerëzit.
Ura që lidh kombet.
Ura që lidh dashuritë.
Ura që sjell lirinë!
Katër valltarët kërcenin mbi gjoksin dhe barkun e tij.
-Si është e mundur?-klithi turkesha e bukur.-Xhind me fytyrë njeriu, apo valltar me fytyrë engjëlli?
Valiu dhe të pranishmit osmanë mbetën pa frymë.
Në vallen e Osman Takës ata panë burrin çam.
Panë krenarinë.
Panë vdekjen.
Panë lirinë.
Panë Shqipërinë.
Panë dinjitetin e një kombi të lashtë.
Xhemile Hanëmi hoqi nga fytyra mbulesën dhe iu afrua të shoqit.
Sytë i lotonin.
-Valiu im! Ky nuk është Osman Taka, i dënuar me vdekje nga Porta e Lartë.
Është rrapi madhështor i Filatit.
Unë dhe ti, burrë e grua, kemi shkelur me këmbët tona çdo truall të perandorisë sonë të madhe, por kurrë nuk kemi hasur në një burrë kaq të pashëm, trim, krenar dhe që kërcen kaq bukur.
Na i rrëmbeu zemrat.
Hanëmi heshti një grimë, hodhi sytë nga turma, që vazhdonte të klithte:
-Osman Taka!
-Lulja, bukuria, trimëria dhe liria e Çamërisë!
-E dëgjon, valiu im?! Ka emrin e të madhërishmit dhe themeluesit të perandorisë sonë të madhe…
Valiu hodhi vështrimin nga turma në shesh, te podiumi i vdekjes ku tundej litari, pastaj te fytyra e bukur e Osman Takës, mbuluar me dritë jete, dhe tha:
-Hanëmi im dhe dashuria ime! Shqiptarët nuk i japin fare rëndësi emrit, por karakterit. Gjatë këtyre shekujve ua ndërruam emrat, ua ndërruam besimin, i vramë, i pushtuam, por kurrë nuk i gjunjëzuam, kurrë nuk i bëmë dot turq.
Janë dhe mbeten shqiptarë!
Ky burrë që sfidoi sot vdekjen mund të quhej Hasan, si unë, apo Mexhit, si kadiu, por përsëri e përsëri, kështu si tani, do të shkonte drejt vdekjes.
Dinjiteti dhe trimëria janë në gjakun e këtij kombi.
-Atëherë, ky burrë nuk duhet të vdesë, valiu im! Nëse sulltani nuk e fal, vë në këmbim kokën time!
-Nuk dalim mbi fermanin e sulltanit, hanëm…
-Sulltani i madhërishëm e var Osman Takën, por nuk mund ta varë vallen e tij.
Nuk ka litar dhe sulltan në botë që të varë legjendat!
P.S. Edhe pas 139 vjetësh, «Vallja e Osman Takës» vazhdon të mahnitë botën!
