Vargu i maleve pambarim,
si të kapura përdore,
hijeshojnë nën rreze dielli
e nën vellon prej dëbore.
Lartësuar madhërishëm,
ardhur shekujsh madhështorë,
hijeshuar me blerim
e me nurin dimëror.
Të bleruar,të zbardhuar,
më mahnisni vazhdimisht,
pamjes suaj dashuruar,
vargu buron mrekullisht.
Veshur mali madhështor,
me shtëllunga mjegullore,
gjysma diell,gjysma shi,
pamje të ndryshme stinore.
Marrë mendjen edhe zemrën
madhështia kaq fisnike
endur vargjesh,endur strofash
mendja ime poetike
