BallinaVitrina e libritZymer Mehani-NËNAT SHQIPTARE

Zymer Mehani-NËNAT SHQIPTARE

Poemë
“Çdo nënë shqiptare meriton lapidare.

I
Ato lindën nën çati të varfra,
ku dimri hynte si përmes gishtërinjve,
ku buka ndahej në kafshata të vogla
dhe loti fshihej tinëz fëmijëve.

Ato u rritën me duar të çara,
me sofrën shpesh të pambushur,
me këmbët që njihnin udhët e baltës
dhe shpinën nga barra të kërrusur.

Ato mësuan që në djep
se jeta nuk u falej lehtë,
se çdo agim kërkonte mund
dhe çdo mbrëmje sillte një brengë.

Në Shqipërinë natyrale, gjithandej,
ato qenë rrënjët nën tokë,
që stuhitë të mos e rrëzonin trungun,
që kombi të mos mbetej pa kokë.

Në Kosovë pritën te portat,
me sytë mbërthyer përtej udhëve,
numëruan hapat e bijve të larguar
por s’ heshtën përpara të huajve.

Ato i panë fushat të digjeshin,
shtëpitë të shndërroheshin në hi,
por në prehrin e plagosur të kohës
mbollën përsëri dashuri.

Ato ikën shtigjeve të maleve,
me foshnjat shtrënguar në gji,
pa ditur ku do ta gjenin natën,
pa ditur nëse do të kishte agim përsëri.

Kur mbi prag mungonte një emër,
ato nuk e mbyllnin fare derën,
sepse shpresa, edhe kur plagosej,
mbetej zgjuar bashkë me zemrën.

Në Iliridë ato ruajtën fjalën shqipe,
si prush të fshehur nën hi,
ua mësuan fëmijëve nëpër oda,
që të mos humbiste në stuhi.

Ato e mbajtën shqipen në buzë,
kur heshtja ishte ligj cep më cep,
dhe çdo ninullë që këndonin
bëhej flamur mbi një djep.

Ato punuan arat e gurta,
me shpresë, djersë dhe mundim,
ndërsa pranverat u premtonin të korra
dhe vjeshtat u sillnin mërgim.

Në Çamëri ato mbetën kujtesë,
në ullinj, në oborre e në varre,
me çelësat e shtëpive të vjetra
të ruajtura kundrejt bandave vrastare.

Ato bartën emrat e fshatrave
nga njëri brez tek tjetri, ngadalë,
që koha të mos i fshinte portat,
që harresa të mos ngrinte mur të madh.

Ato nuk kërkuan hakmarrje,
as plagë të reja mbi dhé,
por drejtësi për jetën e këputur
dhe një lutje për kthim në atdhe.

Në Luginën e Preshevës shqiptare
ato zgjuan mëngjeset ngaherë,
përgatitën fëmijët për shkollë
dhe ua bekuan librat mu në derë.

Ato i përcollën me ankth në zemër,
por me krenari në sy,
që shkronjat shqipe të mos veniteshin,
që emri i tyre të jetonte aty.

Kur puna mungonte në vendlindje
dhe varfëria ulej në sofër,
ato e ndanin kafshatën përgjysmë
dhe buzëqeshnin për të na dhënë forcën.

Ato i shitën stolitë e nusërisë,
kursyen çdo monedhë të vogël,
që fëmijët të kishin lapsa e fletore,
një libër dhe një rrugë të ndritur prore.

Në malësi e në fusha të gjera,
në qytete, katunde e bregdet,
ato korrën, endën dhe mbollën,
pa kërkuar shpërblim në jetë.

Ato mbajtën ujë në krahë,
dru mbi shpinë, brenga në gji,
dhe kur lodhja ua merrte fuqinë,
ngriheshin përsëri për shtëpi.

Pushtetet ndërruan mbi kokat e tyre,
flamujt erdhën e shkuan me radhë,
por barra e tyre mbeti po ajo:
ta mbronin jetën nga çdo furtunë e gjatë.

Ato panë kufij të ngriheshin
mes vëllait, motrës dhe pragut,
panë trojet të ndaheshin në harta,
pa pyetur kujtesën e gjakut.

Ato përjetuan ndalime e dhunë,
dëbime, burgje dhe zi,
por mbi rrënojat e çdo kohe
ngritën një vatër përsëri.

Në diasporë ato mbërritën
me një valixhe dhe shumë mall,
me fotografitë e shtëpive të vjetra
dhe një adresë mbi një letër të bardhë.

Nëpër fabrika e shtëpi të huaja
ato punuan nga agimi në terr,
që në vendlindje të ngrihej një çati,
që një arë të mos mbetej djerrë.

Ato pastruan rrugët e botës,
me djersë, si njëra, dhe tjetra,
ndërsa fëmijëve të tyre u tregonin
për lumin, malin dhe shtëpitë e vjetra.

Ato ua mësuan shqipen në mbrëmje,
pas një dite të rëndë pa pushim,
që asnjë fëmijë të mos mbetej
pa gjuhën e nënës në mërgim.

Në Amerikë, Evropë dhe gjetiu,
ato ngritën një Shqipëri të vogël
brenda kuzhinës, këngës dhe festës,
brenda zemrës së tyre të lodhur.

Ato dërguan para në vendlindje,
për bukë, për shkollë e për shtëpi,
por askush nuk ua ktheu vitet
që u tretën larg në vetmi.

Kur telefonin e mbyllnin në mbrëmje,
ato rrinin gjatë në heshtje,
sepse zëri që vinte nga larg
ua zgjonte mallin për vendlindje pa tjetër.

Ato nuk qenë nëpër monumente,
as emrat nuk ua shkruan në histori,
por pa duart dhe qëndresën e tyre
nuk do të mbahej gjallë asnjë shtëpi.

Ato bënë punën e pambajtur shënim,
sakrificën pa asnjë dëshmitar,
dhe mbajtën mbi supe jetën
si një qiell të rëndë dhe të çarë.

Kur bijtë u nisën në luftë,
në burg, në punë apo mërgim,
ato mbetën përballë stuhisë,
me fëmijët dhe tokën si bekim.

Ato u bënë nënë dhe atë,
mësuese, bujkesha e muratore,
u bënë bukë, strehë dhe shpresë,
u bënë roje të një bote njerëzore.

Ato varrosën bij dhe bashkëshortë,
prindër, motra dhe vëllezër,
por edhe kur zëri u shuhej në vaj,
nuk e mallkuan jetën e nesërme.

Nga lotët e tyre u rritën këngët,
nga plagët u ngrit kujtesa,
nga duart e tyre të lodhura
u ringjallën shtëpia dhe shpresa.

Ato nuk lindën vetëm fëmijë,
ato rilindën përsëri një komb,
sa herë që koha deshi ta shuante,
sa herë që nata ra mbi horizont.

Ato ruajtën emra dhe zakone,
veshje, ninulla dhe rrëfime,
dhe ua lanë brezave si amanet
mes aq shumë ndarje e mjerime.

Ato qenë ura ndërmjet trojeve,
nga Kosova deri në Çamëri,
nga Ilirida në Luginë të Preshevës,
nga Shqipëria në Shqiptarësi.

Ato nuk kërkuan kurorë lavdie,
as duartrokitje për flijimin,
vetëm që fëmijët të ecnin të lirë
dhe të mos e harronin ribashkimin.

Ato vazhdojnë edhe sot
të luftojnë me çmimin e bukës,
me papunësinë dhe padrejtësinë,
me ikjen që zbraz zemrën e rrugës.

Ato presin bijtë në aeroporte,
i përqafojnë dhe i humbin, sa çudi,
sepse mërgimi ua sjell për pak ditë
dhe ua merr për shumë vjet përsëri.

Në flokët e tyre të thinjura
fle historia e një vendi të tërë:
çdo thinjë është një dimër i kaluar,
çdo rrudhë, një betejë e bërë.

Ato janë nënat shqiptare,
të heshtura, por kurrë pa zë për ne,
të përkulura nga barra e shekujve,
por të parrëzuara mbi këtë dhé.

Ato janë zemra e çdo shtëpie,
drita që ndizet kur nata zbret,
rrënja që i mban trojet të lidhura,
edhe kur degët i shpërndan çdo det.

Ato janë kujtesë dhe qëndresë,
janë dhembje e kthyer në mirësi,
janë duart që rindërtojnë jetën,
janë lutje që kërkojnë drejtësi.

Dhe kur historia të shkruhet ndershëm,
pa harresë, pa frikë e pa fre,
emrat e tyre do të ngrihen në dritë,
si shkronja të arta mbi atdhe.

Sepse ato mbajtën nëpër shekuj
bukën, gjuhën, pragun dhe nderin,
dhe kur gjithçka dukej e humbur,
ato e mbajtën gjallë mëngjesin.

Ato janë nënat shqiptare,
nga çdo trevë dhe nga çdo anë,
që me vuajtje, punë e dashuri
e mbajtën Shqipërinë të gjallë.
II
Ato nuk lindën vetëm fëmijë,
por rritën epoka në djepare,
ndaj mbi çdo gur të historisë
ato meritojnë lapidare.

Ato rritën bij që nëpër shekuj
u bënë shkronjë, këngë dhe flamur,
u bënë mburojë për tokën amtare,
u bënë dritë mbi çdo mur.

Ato rritën bijtë e Arbërisë,
që me Gjergj Kastriotin u bashkuan,
me besën lidhur rreth atdheut,
dhe trojet me gjak i shpëtuan.

Në Krujë ato ndezën kandilat,
kur bijtë niseshin në beteja,
dhe në çdo zemër arbërore
ngriheshin të pamposhtura shpresat e reja.

Ato qenë nënat e luftëtarëve
që ruajtën malet dhe kalanë,
që përballë ushtrive të mëdha
të përkulej, Arbërinë nuk e lanë.

Ato rritën djemtë e kuvendeve,
që fjalën e kthyen në betim,
që në Prizren e lidhën besën
për gjuhë, atdhe dhe bashkim.

Ato i dhanë kombit Abdylin,
që për trojet ngriti zanin,
dhe mbi hartat e copëtimit
kërkoi t’ia mbronin vatanin.

Ato i dhanë kombit Naimin,
bilbilin e gjuhës amtare,
që u shkri porsi qiriri
për Shqipërinë, gjuhën shqiptare.

Naimin e rritën me mall atdheu,
me dashuri për fushë e mal,
që shqipja të rridhte ndër breza
si ujë i kthjellët e i gjallë.

Ato i dhanë kombit Samiun,
mendjen e ndritur të Rilindjes,
që Shqipërinë e pa të lirë
përtej mjegullës dhe mugëtirës.

Samiun e rritën për shkronjën,
për librin, dijen dhe qytetërimin,
që kombi ta gjente në gjuhën e vet
edhe rrugën, edhe shpëtimin.

Ato rritën De Radën e largët,
që Arbërinë e mbajti në këngë pa tjetër,
dhe nga brigjet e mërgimit
shqipen e ktheu përsëri në zemër.

Ato rritën Vaso Pashën,
që mbi ndarjet ngriti një kushtrim,
duke e thirrur shqiptarin
ta gjente te kombi bashkim.

Ato rritën Çajupin e fjalës,
që qeshi e qau për Shqipërinë,
dhe me vargun e tij të mprehtë
goditi plagën dhe robërinë.

Ato rritën Fishtën e lahutës,
që maleve u këndoi, u dha emër
dhe në çdo varg të fuqishëm
i dha atdheut krahë e zemër.

Ato rritën Gurakuqin,
mësuesin e fjalës së lirë,
që besonte se drita e shkollës
do ta bënte Shqipërinë më të mirë.

Ato rritën Ismail Qemalin,
me shikimin përtej çdo ndarjeje,
që në Vlorë ngriti flamurin
mes shpresës dhe sakrificës së madhe.

Ato rritën edhe bijat e dijes,
Sevastinë dhe Parashqevinë,
që shkollës dhe shkronjës shqipe
ia kushtuan tërë rininë.

Ato rritën Shotë Galicën,
që lirinë e mbajti në armë,
dhe pranë Azemit nëpër male
u bë legjendë shqiptare, e gjallë.

Ato rritën bij të panumërt,
pa emra të shkruar në histori,
që ranë në male e në burgje
për një agim me liri.

Ato pritën në prag të kullave,
me zemrën ndezur si qiri,
ndërsa bijtë ndiqnin shtigjet
që çonin Shqipërinë në liri.

Ato rritën mësues të heshtur,
që librin e ruajtën si flamur,
kur shkronja shqipe përndiqej
dhe shkolla mbyllej me torturë.

Ato rritën minatorë e studentë,
që ngritën zërin për liri,
kur mbi Kosovë shfaqej zezona,
një qiell i mbushur me padrejtësi.

Ato i përcollën bijtë në burgje,
por nuk ua mbyllën dot gojën,
sepse nënat shqiptare e dinin
se prangat nuk e burgosin kohën.

Ato lindën Zahir Pajazitin,
që në Llap u bë kushtrim,
dhe me shokët e idealit
hapi shtigjet për çlirim.

Në heshtjen e netëve të rënda,
kur frika trokiste në çdo derë,
Zahiri u ngrit për lirinë
si drita që paralajmëron pranverë.

Ato rritën Adem Jasharin,
që Prekazin e bëri qëndresë,
dhe mbi pragun e kullës shqiptare
e ngriti lirinë me besa- besë.

Ato rritën Hamëz Jasharin,
krah i fortë në të njëjtin zjarr,
që me familjen dhe vendlindjen
u bë i pavdekshëm në altar.

Ademi dhe Hamza qëndruan,
me kullën kthyer në histori,
dhe nga flijimi i Jasharajve
u ngrit kushtrimi për liri.

Ato rritën bijtë e Drenicës,
të Llapit, Dukagjinit e Karadakut,
bijtë e Pashtrikut e të Sharrit,
që iu përgjigjën zërit të vatanit.

Ato rritën luftëtarët
e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
që lanë shtëpitë dhe familjet
për t’i dalë zot lirisë së tokës.

Ato ua lidhën plagët me duar,
ua dhanë bukën e fundit në sofër,
dhe kur bijtë ngjiteshin maleve,
zemrat ua ndiqnin, në çdo votër.

Ato fshehën lotët në shami,
që të mos ua shihnin vajin, të paktën
dhe në vend të fjalës së fundit
ua dhanë bekimin e uratën.

Ato hapën dyert e shtëpive
për luftëtarë, të plagosur e udhëtarë,
dhe nga çdo vatër e përndjekur
ngritën një fortesë të tipit shqiptar.

Ato gatuan bukë nën krisma,
bartën ujë përmes rrezikut,
dhe mbi supet e tyre të lodhura
ç’e mbajtën çizmen e armikut!

Ato përcollën bijtë në beteja,
por nuk i përcollën drejt harresës,
sepse emrat e të rënëve
i shkruan në zemrën e kujtesës.

Ato pritën te varret e freskëta,
me fotografinë shtrënguar në gji,
por edhe përmes dhembjes së madhe
nuk e humbën besimin në liri.

Nuk ka lapidar që ta nxërë
tërë dhembjen e çdo mynxyre,
as gur që ta tregojë plotësisht
madhështinë e sakrificës së tyre.

Sepse pas çdo emri të ndritur,
pas çdo rilindësi e luftëtari të ri,
qëndronte një nënë shqiptare
që e mëkoi me atdhedashuri.

Pas Naimit ishte një nënë
që i dha gjuhës një bilbil,
pas Samiut ishte një nënë
që i dha kombit një kandil.

Pas Zahirit ishte një nënë
që rriti guximin gjithsesi,
pas Ademit dhe Hamzës qëndronte
një nënë e kthyer në përjetësi.

Ato lindën penën dhe pushkën,
abetaren dhe luftëtarin,
mësuesin, poetin e dëshmorin,
punëtorin dhe mërgimtarin.

Ato nuk i rritën bijtë për luftë,
por për jetë, dituri dhe liri;
kur koha ua kërcënoi vatrën,
ata u bënë mburojë për shtëpi.

Ato nuk kërkuan gjak e urrejtje,
as dhembje për popujt e tjerë,
por një atdhe ku fëmijët
të rriteshin me paqe përherë.

Ato dëshiruan që historia
të mos përsëriste plagë e varre,
që bijtë të ndërtonin shkolla,
jo të binin nëpër beteja kobtare.

Prandaj, kur përmenden heronjtë,
poetët, dijetarët dhe dëshmorët,
le të kujtohen nënat e tyre,
që ua ndezën në shpirt horizontet.

Le të kujtohen nënat shqiptare,
që nga lashtësia deri sot, në liri,
sepse çdo bir që hyri në histori
mbajti në zemër një porosi.

Dhe ajo porosi ishte e thjeshtë:
ta doni vendin pa verbëri,
ta mbroni gjuhën dhe nderin,
ta ndërtoni jetën me drejtësi.

Ato janë nënat shqiptare,
të çdo dëshmori, koha e dëshmoi,
rrënjët e padukshme të kombit,
kurora e vërtetë e çdo heroi.

Artikulli paraprak
Artikulli i ardhshëm
TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT

Anita Hoxha-Po kthehem

Alban HAJRUSHI-BARDHË

Natyra Mavraj-Tetor