BallinaVitrina e libritZymer Mehani-PESHORJA MBI ARKË

Zymer Mehani-PESHORJA MBI ARKË

Atje,
një dritare u mbyll
pa zhurmë —
por hijet dolën në shesh
me flamuj prej letre.

Diku,
një djep numëron mungesat,
ndërsa korbat matin qiellin
me vizore mandatesh.

Në pragun e zi
u mbollën mikrofonë;
dikush kërkoi jehonë
aty ku duhej vetëm heshtje.

Oh, ju farkëtarë të pikëllimit,
ç’monedhë pretët nga loti?
Sa vota peshon
një grusht dheu
mbi një emër të shuar?

Ora nuk lëviz.
Vetëm akrepat
ndërrojnë maska.

Dhe varri —
ai arkiv pa parti —
nuk regjistron brohoritje,
as ngjyra flamujsh.

Regjistron vetëm
sa njerëz mbetën njerëz
kur dhimbja e tjetrit
u kthye në shkallë.

Në fund,
kur të fiket skena,
kush do t’i mbledhë
hijet e hedhura
mbi pragun e një familjeje?

Heshtni pak.

Ka dhimbje
që nuk bëhen platformë,
ka lot
që nuk japin vota,
ka zi
që nuk duhet të ketë
asnjë çmim. 

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT