Wednesday, November 13, 2024
BallinaNgjyra jeteGjurmët e Mujës dhe Halilit në Drenicë

Gjurmët e Mujës dhe Halilit në Drenicë

Në maje të një kodre, jo fort të lartë, pa u lëkundur nga shekujt rri ende guri i Mujës. Muja dhe Halili nuk kanë mbetur vetëm legjendë tek shqiptarët

Gjurmët e ekzistencës së tyre po ruhen ende në një fshat malor të Kosovës. Me një diametër rreth një metër e gjysmë, guri, që Muja sipas legjendës e kishte gjuajtur nga Çyçavica në fshatin Morinë (Marinë) të Skenderajt, qëndron ende aty.

Ai nuk ka lëvizur asnjëherë nga ai vend, ku sipas banorëve vendas e kishte hedhur vetë Muja i legjendës. Legjendat shqiptare rrëfehen ende sot në mesin e popullatës. Mirëpo, gjurmët e këtyre legjendave ka pak njohuri se ekzistojnë. Në disa vende të Kosovës, qeniet njerëzore, objektet, figurat që përbëjnë legjendat janë ruajtur. Banorët e fshatit Morinë besojnë se tre gurët (njëri i Mujës, njëri i Halilit dhe një i Talit) janë të shenjtë dhe askush deri më tani, siç rrëfejnë vetë ata (banorët), nuk ka guxuar dhe as nuk guxon t’i dëmtojë. Nga të parët e tyre kanë trashëguar rrëfime nga më të ndryshmet. “Kush guxon të prekë këta gurë e zë mallkimi”, është amaneti që përcillet brez pas brezi për gurët.

Kemajl Gucati, banor i këtij fshati, thotë se ashtu siç i sheh sot gurët, janë ashtu siç u kanë treguar paraardhësit. “Asnjëherë nuk ka ndryshuar pamja e tyre”. Thotë ai për “Zërin”. Gucati tregon se nuk ka ndodhur që dheu rreth tyre të mblidhet ose të shembet. Ai thotë se as bora nuk rri mbi ta. Frika nga mallkimi i gurëve dhe pasojat ka ruajtur formën e gurëve dhe i mban të padëmtuar shekuj pas legjendës së thurur për Mujën e Halilin.

“Pleqtë na kanë treguar sesi një plak i katundit kishte pas tentuar ta thyejë një gurë, ai ishte munduar gjithë ditën ta bëjë këtë dhe nuk ia kishte arritur, por në mbrëmje ia hoqën një copë. Kur ky plak, siç na tregonin pleqtë, kishte shkuar në shtëpi, ai kishte gjetur të çmendur familjarët”, thotë Gucati për “Zërin”. E në gurin e Mujës, që sipas banorëve është guri kryesor nga të tre gurët,

shihen gjurmët se është thyer dhe i mungon një pjesë. “Me ma dhanë krejt dyjen unë nuk shkoj me i prek. A është e vërtetë ajo nuk e di, po unë nuk e provoj”, thotë më tej Kemajli. Ai tregon se edhe gishtat e dorës së Mujës janë në gur, por kjo pjesë shihet më pak pasi që është në pjesën e gurit të kapur për tokë.

Misteri i vdekjeve pas prekjes së gurit

Një ngjarje që e mbajnë në mend më të moshuarit e fshatit është ajo kur është ndërtuar shkolla e fshatit Morinë, në vitit 1996. “Kur është ndërtuar shkolla e kanë lëvizur gurin dhe kah kanë shuar të katër mjeshtërit kanë pësuar aksident dhe kanë vdekur”, tregon Kemajl Gucati.

81-vjeçari, Jetullah Gucati, tregon se në gurë janë shenjat e gishtërinjve, por gurët janë rrotulluar dhe shenjat janë në pjesën kah toka. Si banorët e tjerë të fshatit edhe Gucati thotë se gurët nuk guxojnë të dëmtohen. “Pleqtë tregonin se një fshatar e ka thyer njërin nga gurët dhe i është çmendur gruaja. Djali i i ishte bërë me gung dhe ka vdekur pas lufte. Nuk ka munduar të lëvizë hiç”, tregon Jetullah Gucati për gazetën, e po ashtu tregon edhe historinë e serbëve që kanë vdekur në një aksident pasi kanë lëvizur gurët kur është ndërtuar shkolla.

Për gurin e Mujës, që është i shpuar në mes, Jetullah Gucati thotë se aty çdo vit del nga një gjarpër. Ai tregon edhe për bunarin që është në kodër e askush nuk e di kur është hapur. “Bunari që është në kodër nuk e mban mend askush se kur është hapur. Bunari është nën gurin e Mujës”, ka treguar Gucati, duke shtuar se në po atë kodër paska qenë edhe një kishë katolike. “Fqinji që e ka pasur shtëpinë aty, kah lëvronte gjente varre aty, e askush nuk i mban mend ato varre”, thotë ai, duke shtuar se askush nuk guxon t’i dëmtojë gurët. “Sepse pa të gjetur diçka nuk e lë”, shprehet ai.

Muhamet Hoti, një tjetër banor i këtij fshati, thotë se gurët kanëqenë dhe janë të shenjtë. “Nuk kemi guxuar të kalojmë kah ata. Kushdo që i ka prekur iu ka pa sherrin. Janë bërë me behane”, ka thënë Hoti, derisa ka treguar historinë e një bashkëfshatari të tij. Për kodrën pran së cilës janë gurët e kreshnikëve, për të cilët rapsodët kanë thurur mijëra vargje, Hoti thotë se ka qenë kodër me bari e disa njerëz e kanë prishur për ta shtruar rrugën, të pestën disa ditë janë aksidentuar dhe kanë vdekur. “Këta ishin serbë që kanë marrë gurë nga kodra dhe vdiqën mistershëm”, shprehet ai, derisa thotë se gurët gjithmonë kanë pasur fuqi. “Pleqtë nuk kanë guxuar t’i prekin, nuk i prekim as ne. Njëri gurë është shembur, por nuk po guxon ta prekë asnjë njëri”, ka treguar Hoti./inforculture.info

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT