Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poetin Asllan Miftari

Çaste poetike me poetin Asllan Miftari

LETËR NËNËS

E dashur nënë ! – E ndjej që je mërzitur

Më thonë se, dhe përlotur rri tek dera

Ti mos u mërzit nëna ime

Do të vijë dhe per ne, e lule çelë pranvera !

Ti e vetme nuk je nëna ime

Se përlotur, shumë nëna presin ngahera

E di nënë, se për evladin e saj

Çdo nëne i dhemb, e therë zemra !

E di se vetmuar je nënë

Vetmuar si gjithë nënat e botës

Iku djemënia…., e gjitha nënë !

Ikën…! – Si satelitë që sillen, rreth e rrotull Tokës !

E dashur nënë ! – E ndjej mallin tënd

Ndjej dhe lotin duke kulluar

Prek mërzitjen që të bren përmbrenda

Ndjej që dhe kur Zoti fle, ti rri e zgjuar !

Nënë ti tek dera mos rri menduar

As dhe përlotur tek dera mos më rri

Do vij së shpejti dita nënë

Të kthehem, e të ç’ mallemi unë e ti !

E dashur nënë ! – E pa udhë jeta në Dhe të huaj

Dhe bulevardet duken, si të ngushta shtigje

Llampadarët nuk e përzënë errësirën

Vetëm hëna kur lëshon, ndonjë rreze drite !

Vetmuar ecin njerëzia rrugëve nënë

Dhe unë eci kuturu e fillikat

Nganjëherë dhe vetveten nuk e gjej nënë

Sikur sëmundja kur të dergj, e të vë në shtrat !

Kot se ka bekuar Zoti tokën Mëmë

Malli të tretë si qiriun kur fryn era

Balta më ëmbël se mjalta, thotë Çajupi i madh

Atje dhe dimri ngroh, më shumë se këtu pranvera !

Së shpejti do të vij, e të ç’ mallemi nënë

Ti tek dera mos më rri e zgjuar

Kur të vij e të trokas portën, ti hape nënë

Gjurmën e kollën time, ti nuk e ke harruar !

Andaj ti mos u mërzit nëna ime

Shpejt do të kthehem në tokë të bekuar

Kur të trokas në portë, ti hape nënë

Unë jam ! – Puthmë e zbraz lotin e përmalluar !

………………………………………………………………..

VJESHTË E PËRLOTUR..!

( 1 )

Ikën….ikën gjethet,

Drurët mbeten fillikat

Në gji, të përlotur e morën vjeshtën

Rrallë tek – tuk mbetet ndonjë trumcak !

Së bashku me vjeshtën ikin zogjtë

Dhe bylbylët largojnë

As dhe një këngë rrugës nuk belbëzojnë

Të përlotur, nisen dhe pëllumbë lajmëtarë

Kancelarive të evropës duan t’u thonë

Matanë, asgjë nuk po shkon mbarë !

Duan t’u thonë, as qyqe nuk vijnë mot

Andej si krokodilë, derdhen vetëm lot..lot..lot..!

Mot nuk vijnë, as thëllënza e skifterë

Andej lëshohet vetëm vrerë..vrerë..vrerë..!

Zotërinj Kancelorë..!

Andej po shuhen të bekuar Dhjetorë !

Dhe malet janë zbardhur nga thinjat

Pa mbartur mbi supe, as dhe një pëlhurë dëborë !

Zotërinj Perëndimorë !

Andej çdo gjë noton “Offshore”!

Andej Profesorët quhen shpellarë

Intelektualët tiketohen të marrë !

Andej ka humbur nder e nur

Matanë dhe pula hanë gurë !

Andej po ikin, siç ikin bulevardeve kalimtarë..!

Çdo gjë e shkretë, rrugë e humbur e shpresë e vrarë !

Zotërinj Perendimorë !

Andej duhet vënë dorë…!

Duhet vënë dorë, nga i ftohti acar

Që mbjellë e Dhjetorit të nëntëdhjetë, të vejë disi mbarë !

………………………………………………………………………………….

AH…! FUQI TË KISHA !

Shpesh herë dëgjojmë

Dhe lexojmë…

Politikanë…

Që hiqen si historianë

Por që s’ njohin histori

Që mendojnë e shkruajnë

Flasin e çirren

As për realitet

As për vërtetësi !

– Për një motiv kanë luftuar

Që nga Skënderbeu

Hasan Prishtina e Bajram Curri

Isa Boletini e Ismail Qemali

Deri tek legjenda e Kosovës

Komandant Adem Jashari

Që ky truall të jetë

Jo i nëpërkëmbur

Por me dinjitet shqiptari !

– Dora i’ u thaftë !

Truri i’ u shteroftë !

Atij që shkruan

Dhe flet për ndasi

Që ditë e natë mendon

Të shkatërrojë

Të mezirriturën demokraci !

– Na lini të qetë

Mos na hasmëroni

Këtë të vetëm vëllazërim

Mos na e minoni !

-Prej shekujsh e kemi patur

Këtë të çmuar pasuri

Që shumë kombe të tjerë

Na e kanë zili !

– Ah…! – Fuqi të kisha !

Me forcë t’ i dëboja

Këta të famshëm muskuljerë

Që ne të jetojmë kryelartë

Si motra e vëllezër mes Europës

Me dinjitet

E jo si të mjerë !

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT