Friday, March 29, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me poetin Isuf S Hoxha

Cikël poetik me poetin Isuf S Hoxha

Portën e zemrës lëre hapur

nëse i dëgjon piklat e shiut

si trokasin lehtë në dritare

jam unë ,eja t ‘i njomin buzët .

Nëse rrezet e diellit të gudulisin syrin,

portën e zemrës lëre hapur,

vi me ngrohtësinë, të të shkrijë dyshimin.

Nëse aroma e trandafilit e mbushë dhomën

lëre portën e zemrës hapur

t ‘i vijë era trupit.

Nëse dëgjon në degë bilbilin,

portën e zemrēs lëre hapur,

serenatë Korçare kam porositë ,

t’fluturojme s’bashku me zërin,

ta provojmë delirin.

Era , nëse t’i ledhaton faqet,

portën lëre hapur,

vi së bashku me flladin ,t’i shuajmë epshet.

Dielli kur ta lë horizontin e ngjyrat e purpurta

t’ia lënë vendin muzgut,

portën lëre hapur ,

si puthen kodrat me qiellin,

të na puthen zemrat e në një të shkrihen.

……………………………………………….

Do e mbaj buzëqeshjen

Shuhet një Yll në gjithësi…

Lëndinës së vuajtjes

një zemër e thyer ma shumë.

Kacavirren telat e këputur kitarës

në simfoninë e pakomponueme ,

kujtimet enden jetim eterit,

shamia e lumturisë pa oja qëndisur.

Me kravatën e zhgënjimit

fshij mallin e lotit

S’do e dëgjoj trokun e hingëllimën,

cicërimën ,s’do shoh fluturën në fluturim.

Kopshtit të ëndrrës po i hedh sipër

çarçafin e shqyer të harresës …

Më fal buzëqeshjen s’mund të ta kthej

Do e mbaj si ylber rreth qafës.

…………………………………………

Ditë e humbur

Sot s’i përshëndeta

zogjtë në fluturim,

Shtegtonin të lodhur.

Goca e çuna iknin për në shkollë

S’ju buzëqesha,s’ju thashë:

Mos u ngopni dituri!

Hamalli i kërrusur,ngarkuar sa një gomar…

Ç’më kushtonte t’i thosha :Puna e mbarë!

Shokut s’ia shtrëngova dorën si vëlla.

Të dashurës lule s’i solla në shtēpi.

Prindërit s’i putha në ballë.

Ishte ditë ters …

Samiu më qortoi rëndë,rëndë…

Sot ç’bëre për Atdheun ?!

U skuqa,ishte ditë e humbur.

………………………………………………………………

Dashuri e prushëruar

Çdo mëngjes zgjohem i freskët

Rreth meje grumbulluar cicërojnë

Bilbila ..kanarina.. pëllumba..

Në degët e zemrës sime presin

Letrat me urime t’i shpërndajnë

Anë e kënd globit në çdo shtëpi

Të bardhe apo të zinjë.. pa dallim feje

Mesazhin e dashurisë tua sjellin

Për paqen,lumturinë në mes jush

Unë në ballkon pres s’më zë gjumi

Pres deri në orët e vona të kthehen

Mos ka mbet ndonjë letër pa shpërndarë.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT