NJË GOTË VERË
Ma mbush një gotë verë kamarier
Nga rrushi i Rahovecit e dua
Me ato kokrra ngjyre ari të jetë
Mbushma një gotë mua
Ma mbush një gotë verë kamarier
Nga rrushi shardone të jetë
Të shkëlqejë ngjyra e artë
Pak shije franceze të ketë
Mbushma një gotë verë kamarier
Sonte kam vendosur të pi
Të dehem me verë Rahoveci
Ta heq nga gjoksi këtë mërzi
Mbushma një gotë verë kamarier
Të pres më gjatë shpirti im s’duron
Për dashurinë që nuk është këtu
Për dashurinë që sonte më mungon
……………………………………………………..
MALLI I GJYSHIT
Ku jeni o nipat e mi, ku jeni?
N’fund t’botës më shkuat e loti s’don me mu tha
Një kangë gjyshi dashti me jau këndue
Ky gjoks po m’çahet prej mallit e s’duron ma.
N’jetën teme mlodha përralla t’bukura nga baba e gjyshi jem
Me ju tregu nipave kur gjumi s’mi zen
E tash n’shtrat me plakën, i knoj n’vete nganjëherë
N’dorë mbaj jastekun me ma hjek mallin tuej.
Edhe gjyshja po mërzitet po me gojë spo flet
Çdo vit nga një palë tirqi ju maron
E m’thotë me ju ble plisa të bardhë
T’ju shoh n’trup nipave n’sene t’re kur t’vijnë.
Eh, sa ju gzova plumbit t’luftës që smë mori
Thash; do ta jetoj pleqninë me nipat e mi
E tash veç gjelit i ndëgjohet zani n’oborr.
Po, s’më mjafton Viberi e Watsapi o nipa
Duart po m’dridhen e gjoksi po don mem plas
Po du me pa n’oborr ladrimin tuaj
E vesht me mi shurdhu zani djaloshar
Pastaj me vdek i qetë, se shpirti ndryshe s’don mem dal!
………………………………………………………….
MALLKIM
Po ikim
Të gërditur
Si shpirti kur del nga trupi
Trishtim
Vetëm festat na kthejnë në vendlindje
Të shuajmë mallin për fëmijërinë
T’u sjellim lule pllakave të varreve
Mallëngjim
Takojmë vetëm ata që nuk arritën të ikin
Duke fërkuar duart u shkon koha
Të na vijnë pas rrugëve të botës
Mjerim
Mallkimi do ti zë të gjithë ata
që e sollën në këtë ditë vendin e shqipeve
Nga shqipe në qyqe na shëndrruan
Mallkim