NËSE SONTE
Nëse sonte të merr malli, i dashur
e kjo erë e ftohtë janari që po frynë, të mallëngjen
mos ngurro, eja,
krahëhapur zemra ime do të të presë
e syri im do t’ i thotë lotit -” S’ më duhesh, Ai po vjen”,
t’ua thejmë dryrët ndjenjave të shpirtit
që ka shumë kohë na zhuritin plot zjarr,
ta ndalim e ta shkrijmë me dashuri
këtë të ftohtë e këtë të dimrit acar!
Nëse sonte i dashur, sadopak të merr malli për mua
mos përto, eja,
eja t’ i njomim dy palë buzë
që ka kohë kanë vënë shkrumb,
eja së bashku t’ i thajmë dy palë sy
që nga malli ka kohë derdhin lotë si lum,
e më thuaj siç më thoshe me aq afsh e zjarr dikur,
‘ E vetmja ime je ti e të dua kaq shumë!”
Nëse të merr malli sonte të dëgjosh këngë,
tinguj të ëmbël gitare, çifteli a violinë,
eja tek unë, rrugën e di i dashur,
së bashku me këtë fërfëllaz ere do të të thuri melodinë,
do të t’ këndojë këngët që do
si më e mira krahshkruar xheraqinë,
prapë do të jem ajo që di të ta heqë pikëllimin, mërzinë
e do mbush prapë trupin e shpirtin tënd
me aromë trëndafili e dafinë!
Nëse të ka marr malli, i dashur,
sonte poezi të lexosh,
eja, mos ngurro, e di se je trimosh mbi trimosh,
poezinë më të bukur për ty qëmoti kam thurë,
vetëm shpalos gjoksin e zemrën time
aty e ke të ruajtur gravurë,
poezinë më të ëmbël e më të bukur për ne të dy
e kam ruajtur ndër shtatë palë dryrë , thellë në gji
në to ka shumë mallë,dhimbje e lotë
por më së shumëti ka zjarr,afsh e dashuri!
Nëse të merr malli sonte i dashur
të lexosh më të bukurin roman,
eja, ta shkruajmë e ta lexojmë së bashku
duke iu bërë njëri= tjetrit me mëndafsh jorgan,
duke i shtrënguar duart tona,
me afsh e drithërima zemre
me fuqi e njomështi burri
e ngrohtësi e butësi femre!
Nëse sonte të mërzit e të mërdhin,
kjo erë e ftohtë që po frynë e po thanë
eja, mos hezito i dashur,
të gjitha pengesat e hidhërimet lëri mënjanë,
xhelozitë të gjitha hudhi në oqean,
ta shkrijmë së bashku sonte
këtë të dimrit acar,
e ta kthejmë në natë të ngrohtë pranverore,
në livadh shtruar me lule e bar!