Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje të reja mbi sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Kurti ka thënë se një muaj para sulmit terrorist, i gjithë arsenali i armatimit ka qenë i vendosur në një kompani që ishte vizituar më parë edhe nga presidenti serb, transmeton lajmi.net.
“Urdhri për sulmin terrorist dhe kriminal në Banjskë të Zveçanit, i planifikuar dhe organizuar nga shteti serb u ishte kumtuar një ditë më herët, saktësisht para tre muajve, në mjediset e kompanisë Novi Pazar Put. Automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë, ishin të përqendruara në këtë lokacion. Kjo kompani e cila është në listën e sanksioneve të ShBA-së është pronë e vëllezërve Veselinoviq dhe Milan Radojiçiq. Drejtor është një kolonel i pensionuar, Aleksandër Gërboviq i njohur si ‘Gërba’.
Kryeministri tha se Radoiçiq po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës, të cilat sipas tij po organizohen në objektin e firmës “Jablanovica” në Rashkë.
“Ai tani po organizon sulme të tjera me pjesëtarë të Mbrojtjes Civile. Ai po mban takime me BIA-n, në ambientet e firmës Jablanovica në Rashkë të cilat po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen pjesëtarë të mbrojtjes civile që kryejnë vëzhgime, e që instruktor e kanë Uglejsha Jareniqin. Ata po strehohen dhe përveç akomodimit, ata paguhen rreth 2 mijë euro në muaj”, ka thënë Kurti.