Saturday, July 27, 2024
BallinaVitrina e libritCikël poetik me vargjet e poetit Mehmet Rrema

Cikël poetik me vargjet e poetit Mehmet Rrema

PEISAZH.

Dielli pushon i lodhur, rënë mbi det

Qielli fut në gjirin e tij avuj të mëndafshtë

Që kthehen ngadalë në tyl të mëndafshtë

Me të shtatë ngjyrat e ylberit që qesh

Dielli shtrihet horizontalisht në krevatin e tij të ngrohtë

Ka ecur, ka ngrohur ka ndritur një botë

Tani ulet mbështetur mbi valë

Si një pasha i kënaqur pas një beteje të fituar

Zogjtë e detit hedhin vallen e fundit

Para se nata të shtrijë krahët mbi gjithësinë

Unë qëndroj në breg me vështrim të tretur larg

Dhe them çfarë stiliste e paarritshme është natyra!

ZEMËR NËNE

Dritare e dyer të mbyllura

Njerëz të ngujuar që dridhen

Rrugë, historikisht të përgjakura nga lufta

Panoramë e frikëshme e ditës

Një grua me fëmijën e sajë të pajetë

Rend rrugëve që rënkojnë

Do të thërrasë, të bërtasë, të gjëmojnë

Por as zë nuk nxjerrë e mjera gojë

Ec drejtë perëndimit e mjera nënë

Dielli i turpëruar fshihet pas resve

Qielli e ka humbur madhështinë e tij

Para kësajë pamje tragjike të ditës

Nëna prapë beson në qiell e në Zot

Qielli dhe toka të akullt, bashkuar

Heshtin para tragjedisë së kohës

Vetëm zemra e nënës vuan e nuk dorëzohet…

KËMISHA IME E BARDHË

E vesha këmishën e bardhë,

Bardhësia iu vesh jetës, qielli mori ngjyrë të bronztë

Mendova se gjeta paqe për njerëzimin

Por…

Paqja,mbetet në ëndrrat e njerëzve të vuajtur

Si kafshata për të varfërit në ditë festash

Mbetet e lyer me gjak dhe dhimbje

Para meje u shfaqën pamje tragjike

Të një bote gjithnjë në vuajtje…

Këmisha e bardhë veshur

Duket e trembur dhe e trishtuar në trupin tim

Nëpër sallat luksoze shkëlqejnë

Këmishët e zeza

Si një pasqyrim …

I shpirtit të errët që mbulojnë

Më kot …

Mundohen të nxjerrin ndonjë buzëqeshje

Që mbetet si tatuazh përçmimi

Në fytyrën e shoqërinë

AJO NGJYRË E KUQE

Mos më gënjeni ju lutem, mos

Ajo ngjyrë e kuqe a nuk është ngjyrë trëndafili?

Mos më thoni se është gjaku

Që rrjedh pragjeve

Ku njerëzit jetojnë

Me ëndrrën e bardhë

Nuk është perëndimi i bakërt i diellit

Që bie mbi valët e ngrohta të detit si një tyl i lehtë

Dhe na fut në botën e imagjinatë së ëmbël

E ne ëndërrojmë të nesërme të purpurta

Është ngjyra e lëngut të jetës

Derdhur për të kënaqur ambicjet e arrogancës

Mos më gënjeni

Mos thoni se është buzëkuq i trëndafilave

Është ngjyra që më tremb

Është flakë që djeg zemrën e shpirtit tim

Të lutem moj flakë të lutem

Digj planet dhe intrigat, thurur

Nga mendjet të ngatërruara të kësajë bote

Ajo ngjyrë e kuqe

Le të jetë ngjyra e shpresës që lind…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT