Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka njoftuar se sot në moshën 86-vjeçare ka vdekur piktori i njohur, akademik Rexhep Ferri.
Në njoftimin për media, AShAK ka bërë me dije se akademik Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë.
“Rexhep Ferri u lind në Kukës më 1937. Në vitin 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë, ndërsa në vitin 1966 u diplomua në degën e pikturës të Akademisë së Arteve në Beograd. Në periudhën 1974-2005 ishte pedagog në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ka hapur ekspozita të pavarura në Galerinë e Kolektivit Grafik në Beograd (1968 dhe 1973), në Galeria Darte II Cenacolo, Viçenca, Itali (1969), në Galerinë e Qendrës Kulturore, Beograd (1976), në Galerinë Lambert, Paris (1977) në Galerinë e Muzeut Kombëtar, Nish (1980), në Galerinë e Arteve, Prishtinë (1982), në Galerinë e Arteve, Sarajevë (1983), në Galerinë Vakko, Izmir, Ankara dhe Stamboll (1989), në Galerinë Vakko, Stamboll (1998), në Galerinë Kombëtare, Tiranë (2001), në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (2020) etj”, thuhet në njoftimin e AShAK.
Më tej, tregohet se në vitin 1996 ai është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 anëtar i rregullt i kësaj Akademie.
Ai ka botuar libra me poezi, romane dhe ese.