KËNGA IME PËR RAMADAN MUSLIUN
As gjethin e fundit në vjeshtë nuk e prite
Ta shohësh të tharë si dredhet në erë,
I këputur nga rrembi ndër përthyerje drite
Kur në sfond zbrazëtia pikon vetëm vrerë!
I mbyllur në vete në kuvlinë me letra
Ç’i shprushe shpirtërat mbuluar pikëllim,
Nuk prita të biesh si degët e vjetra
Dan, o Dan Musliu, Dan o miku im!
Në vitin e vdekjeve kur ra në gjunj bota
Si gur heshtja jote më zu të trishtuar,
Mbi tryezë të vjetër të pret me mall gota
Dan, o miku im, kalorës i nxituar!
Ti mungon e vjen si stina e bukur
O urtak i qetë shprish grumbujt e dhembjes,
Tek rrënjët e fjalëve mbetesh zog i strukur
Me lëngun e shpirtit mbi regtimën e këngës!
Si të pres tash unë vjeshtës i tretur
Kur gjethet e fundit bien me trishtim,
Për dy fjalë me ty keq mbeta i djegur
Dan, o Dan Musliu, Dan o miku im!