Sunday, August 3, 2025
BallinaVitrina e libritNEVIANA SHEHI-VIZITË NË MBRETËRINË E LETRAVE TË MIA

NEVIANA SHEHI-VIZITË NË MBRETËRINË E LETRAVE TË MIA

Një natë

mësuesja ime e letërsisë

më hyri në ëndërr

E njëjtë me ëndrrën

dhe kujtimet e mia

me një vel buzëqeshje në fytyrë

por jo e buzëqeshur

asnjëherë s’ia mora vesh arsyen

e arratisjes së buzëqeshjes

nga fytyra e saj.

Trokiti me gishtin e vogël

në mbretërinë time të letrës

shtyu derën e rëndë

prej vargjesh

dhe duke u përplasur

me një metaforë të harruar

më tha

ti je tepër baroke Nevi!

ka shumë natyrë

lumenj

e zogj transparentë

mbretëria jote

shumë lulëzim

dhe për më tepër

shumë xixëllonja

të kuqe.

Dhe iku

si gjithmonë

me hapa të ngurtë.

Unë ngriva!

Lumenjtë u fyen

xixëllonjat e kuqe u bënë

befas të zeza

edhe ajri po ashtu

si mund…

Oh, mësuesja ime e dikurshme

minimaliste!

Si vallë e gjete rrugën gjer tek unë

takat e tua e urrejnë

rrugën time me bar të blertë

dhe lule begonje anash

sepse ti

nuk e di që unë

kam lindur nga një lule

në ditën e katërmbëdhjetë

të pranverës

ndaj s’mund të fshij

por vetëm mund të shtoj

si këtë trëndafil

që ka mbirë mbi buzët e mia

mbasi u putha me tim shoq

Ja po e shtoj, po e shtoj

sepse unë jam baroke

ish mësuesja ime

jam baroke

Dhe ky nuk është faj.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT