BallinaVitrina e libritDrita Rubjeka Zeneli-SHTEGTARËT ROZË TË KOHËS

Drita Rubjeka Zeneli-SHTEGTARËT ROZË TË KOHËS

Ngjyrojnë rozë shtegtimet mahnitëse,
Qiellin purpurojnë me rrahje krahësh,
Si një letër e hapur shkruajnë horizontet,
Era ua lexon deteve,

Flamingot…

Shtegtarët rozë të kohës,
Kujtesë brigjesh bartin kontinenteve,
Mbi ujëra që veç ata i njohin,
Mbi lindjen e diellit,

Në laguna të kripura lenë pasqyrat,
Nën yje të largët folezojnë,
Atje ku nata flet me oqeanet,
Fshehin një sekret të lashtë,

Flamingot…..

Bij të hapësirës dhe të dritës,
Mes stinëve flurojnë si një lutje rozë,
Me pafundësinë brigjet lidhin,
Në kujtimet e botës,

Mbi një këmbë e tjetrën fshehur nën pupla,
Në paradë pa dirigjim mes ujit, kripës dhe tokës,
Si një ritual në rrjedhën e përjetësisë koha ndalon,
Për të soditur vetveten.

Flamingot…

Janë ëndrra që dinë rrugën e kthimit,
Janë një copë qiell të zbritur mbi tokë,
Për të na kujtuar se udhëtimi,
Është mënyra më e bukur e qëndrimit…

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT