Kur malli djeg
Kam dy malle; kam dy zjarre
Që më djegun gjithmonë n’gji
Një për vashën sysorkadhe
Një për Kosovë e për Shqipëri.
Aq shumë zemra më ka qarë
E sa shpirti nuk m’u këput
Më mirë që nuk më ke parë
Atë natë pa hënë në muzg.
Se të trazuaka dashuria
Këtë s’e vë fare në dyshim
Seç m’i morri mendët e mia
Pritja më mbeti ngushëllim.
Gjithë çka është n’këtë botë
Ka një fillim dhe një mbarim
Por afshi i dashurisë thonë
Nuk vdes kurrë deri n’amshim.
Unë me gëzim ty po të pres
Por jo edhe pafundësisht
Siç lulet diellin në mëngjes
Që e ledhatojnë ëmbëlsisht.
Nëse dikur do më kërkosh
Pas kësaj pritjeje të gjatë
Por më nuk do t’më takosh
Nga Zoti i Madh paç uratë!
Nëse s’vjen me shiun në maj
As n’mëngjes si vesëbardhë
Portën e gjenë mbyllur pastaj
Do të kthehesh nga ke ardhë!