HUTIM TRISHTUES…
Ka kohë që këmbanat
janë shurdhue e varfnue,
tej kryqeve
të bashksisë s’shpirtnave…
Në vend tyne,
zogj gjithfarësoj
krratin, këndojnë e zihen,
sherrit që qetësia mbjell
pas lotëve të grave,
që njomin ylberet
në zanafill të lindjes,
e i fshijnë trishtimin hanës
në përkundje të të grithunave…
Ka kohë që kishat
janë mbytë në heshtje.
Përreth tyne
barishtet mbajnë meshët,
dhe në ditë festash
peligrinëve u falin nji përkulje
e nji lule harrese…
Në boshatisjen e tyne,
brenda kanë mbetë
lutjet, dhimbjet,
vajet e dashnia,
si monumente të arta
të të pamit, të besimit, e të ndjemit…!
Ka kohë që koha e lutjes,
ka dekë me t’dekunit!
PRELUD I PËRVEÇËM
Në dashninë teme
ti je unë
që më vesh
me flakën tande,
krejt të virgjun…
e me sytë e qielltë
ruen dritën
prej kurtheve t’natës,
që thur’ prologje
mbi shpatullat e stinës…
E shpesh,
krejt ditshmënisht,
shtron rrugën
ku kalon fryma jeme
me petalet e shpirtit tand,
t’lindun jo rastësisht
për ândrrën e mbjellun
vitit zero,
t’ardhjes së njeriut te njeriu…
Në dashninë teme,
unë me ty n’mue…
pagëzohna çdo ditë fëmijë,
e perëndoj muzgut si lule…
KRESHTAT GJUHEN…
Rrafshi,
nji trajtë monotonie
pa aksesin e adrenalinës,
gjurmon malin
pas shpine…
si duhet të shthuret
tek kâmbët t’i mbërrijë…
Naltsia,
âsht’ prej qielle…
ushqen unin
me virgjëni…
që veç n’ândrra
preket e shijohet,
horizonteve t’thinjuna…
Në centrifugën e territ,
drita e drejtësisë puthet me kreshtat!
HARTË MARSI…
Marsi i gjatë sa nji epokë,
tymosun frikës,
ankthit,
urisë e etjes,
i çoroditun prej dham’pirësit
numëron rrahjet e fundit.
Ndoshta…
dhe diktatorin e fundit.
Agresionin e fundit.
Pafytyrsinë e fundit.
Tmerrin e fundit.
Lotin e fundit.
Jetimin e fundit.
Plumbin e fundit
Vdekjen e fundit…
… e mbi këtë fund të gjakshëm,
dashuria e bijve
të sythojnë e rritin jetën,
tokës që gjimon
amanetet e qiellorve.
Mars i Tatjanave, thirror’ lirie!
POEZI E EMNUEME…
Në literaturën e mendjes
quhem fortunë!
Në vortexin e shpirtit
quhem dhimbje!
Në brishtësinë e trupit,
quhem pranverë!
Vertikalisht, jam nanë…!
Horizontalisht, fjalë e lidhun rrëfanë!
