Poezi nga Hyqmet B Hasko
Moj nure që s’më le të flas,
Shpirtin ma mbush me drithërima,
Syri yt flakë e zjarr lë pas,
Veshët më mbushen me pshertima
Fjalën bëj të nxjerr nga gryka,
Me mbyllet buza, nuk flas dot,
Mjalti yt në shpirt kur hyka,
Ëmbëlsoka tërë një botë.
Më sëmure, nuk po gjej një ilaç,
Që goja si shpirti ëmbël të flasë,
Më çmendin ato nazet e tua,
Buzët zjarrin ndezin në krua,
Moj nure që s’të ka askush,
Me kënaqësinë e jetës më mbush,
Më dridhen gjunjët kur të kam pranë,
Je mjalti i përhershem që zemëra mbanë.
Shumë herë matem të them të dua,
M’i merr era fjalët e nuk vijnë te ti,
Kjo dashuri për ty po më çmend mua,
Ti më ke shpirt, unë dritë në sy.
Ti erdhe vonë në jetën time,
Si pranvera që e pengon dëbora,
Mijëra lule çelën në pleqërinë time,
Tek unë erdhi lumturia që kërkova.
