LIGJËRATA E SHIUT.
Heshtem…
Sytë luajnë me ngjyrat
gërshet i bëjnë.
Llokoçitet dallga
si tufan i fjalëve
kur grindem.
Mërzia agun kris.
Loton qielli
E hëna e madhe
ajrin me lutje lyen.
Prilli më njom fytyrën.
Vështrim i njelmët kullon
nga lotë që shpirtit siten.
Erret grija
si ngjyrë misteri .
Oazin djegin.
Heshtem..
ERMION I TRILLTË
Vezullojnë rrezet e diellit
tek prekin pragun e agut
përmbi telajon e ditës.
Deti
me sy fëmije
kthehet në pistë
Pulëbardhat pret.
Mbi gur
dridhet lulëkuqja
mbirë nga lotët e dimrit
të mardhur.
Vonon
të rritë petalet e ndrojtura
trupzhveshur
si kurmi i femrës.
Udha me palmat si erashka
nga njëri breg
e katër eukalipte stoike
nga bregu tjetër
zërin ankues varin
krahëve.
Çapiten si rekrutë të lodhur.
Me hijet nginjet ditënata.
Ajrit
vërviten zogjtë
me këngën motake sqepit.
Tinës
çukisin thërrime
nga të fundit vizitorë
Ermionit miklues
me pishën e mbjellë
në mesudhë.
Udhëve që vetëm zgjaten.
Më je arsye me je dhe shkak
s’ti them dot ato që duhen,
i ndruhem fjalës e në çast
mendimet fiken, shuhen.
E nata zbret si nuse e ve
nga sytë derdh kaq mërzi
për mbulesë, një copëz re
m’a hedh me pak bezdi.
I kyça fjalët, gjithçka e kotë
e heshtem fillikate
e vetme bares kësaj bote
udhëve që vetëm zgjaten.
.
