Wednesday, January 21, 2026
BallinaVitrina e libritÇaste poetike me poetin Gani Kola

Çaste poetike me poetin Gani Kola

“Vetëm për ty”

KUR TAKOVA PAGARUSHËN

Në mes të Prishtinës
Pagarushën pashë,
Në rrugë tek po ecte,

  • Oh, sa mirë! – thashë.

Iu afrova pranë,
Dorën për t’ ia puthur,
Zëri po më dridhej,
Faqet më qenë skuqur.

Pagarusha jonë,
E Kosovës nënë,
Ti shndrit si dielli,
Ti ndriçon si hënë.

Pata emocione,
Thashë mos jam në ëndërr,
Mbeta i përhumbur,
Nga zëri yt i ëmbël.

Kur ta putha dorën,

  • Nënë Pagarushë, – të thashë,
    Dy lot nëpër faqe,
    Tek rrodhën t’ i pashë.

Pagarusha jonë,
E Kosovës nënë,
Ti shndrit si dielli,
Ti ndriçon si hënë.

N’ Pagarushë t’ Malishevës linde,
Në atë ditë të bukur maji,
O bilibil i këngës shqipe,
Më madhështore se mali.

Ti Primadona e Melosit Popullor,
O mbretëresha e këngës shqipe,
Kur ti i thurje flokët kurorë,
Si Madam Baterflaj më ishe.

Pagarusha jonë,
E Kosovës nënë,
Ti shndrit si dielli,
Ti ndriçon si hënë.

Një qe kënga me ty,
Si vëllezërit siamezë të pandarë,
Na hipnotizoje si me magji,
Kur skena dridhej nga bukuri e rrallë.

Ku nuk u dëgjua zëri yt,
Të incizuan dhe drurë e shkrepa,
Por simfoni do të mbetet përjetë,
E paarritshmja kënga Baresha.

Pagarusha jonë,
E Kosovës nënë,
Ti shndrit si dielli,
Ti ndriçon si hënë.

O Ema Sumak shqiptare,
Nga gryka jote e kristaltë,
Rrodhi zëri si ujë Valbone,
E jehoi deri në male lart.

Zëri yt shkriu akull e borë,
Në lugina, në fusha dhe në shkrepa,
Kur të putha atë ditë në dorë,
Jo, tërë natën unë nuk fjeta.

Pagarusha jonë,
E Kosovës nënë,
Ti shndrit si dielli,
Ti ndriçon si hënë.

Sa shumë ti dhe për këtë komb,
Ani pse të harruar të kanë lënë,
O ambasadore e këngës shqipe në botë,
Nderimin e madh s’ ta kanë bërë.

Se je nderi i kësaj toke,
Në të gjitha trojet etnike,
Kudo ku gjëmoi kënga jote,
Në piedestal ti e ngrite.

Pagarusha jonë,
E Kosovës nënë,
Ti shndrit si dielli,
Ti ndriçon si hënë.

Më ke fytyrë shumë fisnike,
Ma ke zërin gjëmim mali,
Ma ke trupin si selvi,
Edhe shpirtin si kristali.

Si legjendë ti do të mbetesh,
Në kujtesë, këngë e libra,
Jetë të gjatë të uroj,
Unë, djali nga Dibra.

Pagarusha jonë,
E Kosovës nënë,
Ti shndrit si dielli,
Ti ndriçon si hënë.
Prishtinë, tetor 2009.

VETËM PËR TY

U takuam te reklamat e kinemasë,
Në një ditë të bukur qershori,
Viti njëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e gjashtë,
Kur dashuria jonë rrugën mori.

Për një çast mbetëm të shushatur,
Duke vështruar njëri-tjetrin në sy,
Se gojët na u mbyllën, e dashur,
Siç mbetet i pafajshëm një fëmijë.

Dhe ashtu dorë për dorë shtrënguar,
Ecëm në bulevardin Skënderbej,
Si të tjerët dhe ne ishim të vëzhguar,
Se pati, e dashur, shumë ujqër e çakej.

Sa çudi, e dashur, sa çudi,
Edhe pse ishte koha pa celularë,
Rrufe lajmi kishte vajtur në shtëpi,
Se ne të dy bashkë na kishin parë.

Sa absurde tingëllojnë sot këto fjali,
Absurde si çdo gjë tjetër,
Pasi nuk pati, e dashur, liri,
Dhe një puthje fshehurazi duhej vjedhur.

Ishte koha e mbushur me kinezëri,
Në uniformë kudo, o të uruar,
Si për çdo gjë, e mira biografi,
Duhej patjetër dhe për të dashuruar.

S’ e di pse m’ u kujtua kohë e shkuar,
Kur në bllok kisha hedhur këto vargje,
Për gjithçka liri e kufizuar,
Dhe vetë dashuria e rrethuar me gardhe.

Eh, sa kujtime, sa shumë kujtime,
Më shumë se uji në dete,
Kaluan vite, o e dashura ime,
Në mendjen e zemrën time ti mbete.

Ashtu si në të parin takim,
Kur bashkë ecëm n’ bulevardin Skënderbej,
Vitet kaluan, por në shpirtin tim,
Dashuria për ty rrodhi si uji në lumenj.
Golem, gusht 2009.

GLOBALIZËM
Kështu programoi Adam Vajshopi:

  • Të shkatërrohen qeveritë paqësore.
  • Të hiqet kudo trashëgimia.
  • Të zhduket prona private.
  • Të mos ketë patriotizëm.
  • Të zhduket familja.
  • Të hiqet religjioni.
  • Të ketë një qeveri botërore.

A thua se në dorë,
Po mbahet shkopi,
Dhe njerëzimi po shkon
Te jezuit Vajshopi.

Të lutem, o Zot,
Që ti shumë mirë e di,
Ka Vajshopë të vjetër,
Por a ka dhe të rinj?

Bota do të dridhet,
Vallë do të rrënohet,
Nëse sipas Vajshopit,
O njerëz, do të shkohet.

Më thuaj, o Zot,
Të lutem, o Zoti im,
A mos vallë ky
Është globalizim?

Nëse kështu, o Zot,
Do të ndodhë patjetër,
Të lutem, më dorëzo,
Në një planet tjetër.

Sepse përndryshe,
Unë jam një kotsëkoti,
Nëse do të më dorëzosh
Tek Adam Vajshopi.

Hapni sytë, o njerëz,
Mos ju vijë çudi,
Se një ditë Vajshopi,
Do t’ ju hyjë në shtëpi.

E pastaj të gjithë
Do të hyjmë në kope,
Do të flasim një gjuhë,
Do të kemi një fe.

Nuk do të ketë zënka,
S’ do të ketë më telashe,
S’ do të ketë trashëgimi,
Dhe as pronë private.

Kjo do të jetë risia,
Bota pa kufi,
Kinez të bëhem unë,
Dhe shqiptar ai.

Të ketë veç një komb,
Dhe jo më të tjerë,
Se kështu do Vajshopi,
Vajshopi i mjerë.

Kjo botë e madhe,
E bekuar nga zoti,
S’ mund të jetë një zog
Ta gëlltisë Vajshopi.
Golem, gusht 2010.

MALLI MË KA MARRË

Më ka marrë shumë malli,
Të ngjitem lart në mal,
Të shoh lisat me lende shumë,
Të shtrihem në barin e lëndinës,
Aty të më zërë gjumi i ëmbël,
Duke thithur aromën e trëndelinës.

Oh, sa malli më ka marrë,
Të ngjitem lart në mal,
E të dëgjoj këngën e bilbilit,
Të ledhatoj lulet ngjyra-ngjyra,
Të dëgjoj gjinkallën tek gumëzhin,
Kjo është për mua dëshira.

Sa më ka marrë malli,
Atje lart në mal të shkoj,
Të shoh tek kullosin delet,
Dhe ujë të pi në të ftohtat burime,
Aty t’ i njom dhe njëherë buzët,
Pa u shuar akoma zemra ime.

O ç’ freski, të jep mali,
Mushkëritë hapen, fytyra ledhatohet,
Nën hijen e pishave dhe aheve të larta,
Tek sheh të çelura lulet e blirit,
Zogjtë e shumtë dhe të egrat kafshë,
Dhinë e egër me të bukurit rrathë të bririt.

Atje lart në mal me siguri
Do të takoj Musanë, shokun e fëmijërisë,
E bukë të ha nga trasta që në brez mban,
Rrugët me të në jetë janë ndarë,
Do ta gjej atje në mal, tek kullot bagëtinë,
Kanë kaluar vite që s’e kam parë.

Më ka marrë malli të shkoj lart në mal,
Hipur mbi kalë duke u ngjitur përpjetë,
Për të mbledhur atje lulezonjë,
Te liqeni të rritura kurorë-kurorë,
T’ i këpus e tufa-tufa ato t’ i bëj,
Për t’ ia sjellë së dashurës në dorë.

Se ajo në qytet është rritur,
Me rrugë të shtruara me asfalt,
Është mësuar ajo pazarin të bëjë,
Tek blen qumësht, kos e djathë në dyqane.
Po, vallë, a e di sa të mira këto janë,
Kur shijohen atje lart, në mal, në stane?

Atje lart në mal dua të ngjitem,
Të shoh shqiponjat që vallëzojnë shpateve,
Perëndimin e diellit dhe natën kur vjen,
Xixëllonjat që si prozhektor ndrisin,
Të shoh hënën dhe yjet si vështrojnë,
Nëse gjumi më zë, si jastëk të vë plisin.

Dua të jem atje lart në mal,
Të mbledh një shportë me gorrica,
Kokrrat e salepit nga toka t’i nxjerr,
Çajin e malit ta mbledh tufa-tufa,
Që dimri kur të vijë e bora të bjerë,
T’ i përdor si ilaç kur t’ më ftohet gusha.

Sa bukur është atje lart në mal,
Kur sheh thëllëzat tek shkojnë turma-turma,
Qukapikun që folenë ka ndërtuar në ahishte,
Bletën punëtore në zgjua, në lisin e gjatë,
Tek mbledh polenin lule më lule,
Për të prodhuar më të ëmblin mjaltë.

Atje lart në mal dua të qëndroj,
Larg tymnajës, zhurmave e streseve,
Të eci lirshëm, duke thithur aromë lulesh,
Atje të ndërtoj kasollen e shtratin të vendos,
Të të marr me vete, e dashura ime,
Dhe ditë e natë vetëm me ty të llafos.

E di se në mal s’ ka dritë elektrike,
Në vend të televizorit do të shoh hënën,
Do të mungojnë gazetat, por do të numëroj yjet,
S’ do të shoh parlamentarë, por do të shoh drurët,
Do të të kem ty për gjithçka, e dashura ime,
Dhe për miq e shokë do të kem gurët.
Golem, gusht 2010.

TË NGJASHME

Komento

Shkruani komentin
Shkruani emrin

TË FUNDIT