Sa shumë fjalë janë shkruar,
para se të lindja unë,
biblioteka,librari,
“El Sanator President”,
“Vrasja në Pranverë”
e të tjera gjurmë njerëzish
ka nën gjurmët e mia të para,
të tjera këngë,
filma,drama,
poezi baladë,
fletësh të zverdhura,
epokat kamufluese,
ruhen me ç’të munden
nëpër libra,
si ujërat e një lumi
puthitur kontureve,
si puhiza turbulluese,
si ortek mbi kore memoriesh,pirgje të tilla.
Hokatarët e mjerë,
gjurmuesit,
dominuesit e zhurmshëm,
njerëz të mëdhenj,
as”të mirë”
as “të këqinj”
të dështuar?
produkti
dje “ata”
sot “unë”
sajesa
që para meje kanë udhëtuar.
Mbuluar në pluhur,
të harruara,
ç’fjalë të thëna më kot,
të gjitha për të mënjanuar kujtimet nga mishtorja,
për të ndarë dhimbjen nga loti,
heshtjen nga shembja,
duke u ngjeshur e përkulur në pafund.
Dashuri që lulëzojnë mbi personazhe,
krifla rrëfenjash,
lëvizje,
buzë që mërmërisin,
si temjan i ëmbël,
me gërma të gjuhës mëmë,
cepave të kohës,
ku secili nga ne,
vjen e ikën,
ngrihet e bie,
gjurmë duke lënë.
