(Letër Q. Shemës, mësues në Qesarat)
Nën dritaren time kalon Vjosë e lodhur,
Dal t’i them dy fjalë për ty si letër,
Ku bën kthesë në Qesarat, tek izba jote,
Le t’i bjerë me vrap postier’ e vjetër.
Dal e rri mes natës po s’gjej fjalë,
Që të gjitha fjalët janë të lashta,
Nuk e di se ç’drapër ua korri kallinjtë
Ah, or mik, u mbetet vetëm kashta…
Mbi pasqyrë të lumit hedh një kopje
Të fytyrës sime – hartë dëshpërimi,
Ti mos u tromaks tek shikon vetveten
Ti mos thuaj: “o Zot, u mbyt Qazimi….”
Si dy pika ujë na ngjan krejt jeta,
Nesër që të dy do shpjegojmë përemrat,
Një fabrikë i bën dërrasat ku do shkruajmë,
Një turjelë i mbush me vrima zemrat.
Bangat, lapsat, dhe vetminë e fshatit.
Nga një breg në tjetrin Vjosa i kopjon,
Ah, ç’po biem dëshmorë të Mërzisë, Vëlla,
O Atdhe i dashur, pse kaq monoton?!
