Zotrote, sot fjolla -fjolla,
Agimin zbukurove me bardhësi.
Aq e brishtë e butë hireholla,
Si lëkura e një femre, dukesh ti…
Thënë drejt, ky tisi yt të ngjan,
Si peneli i një piktori me telajë.
Tablonë vizaton në çdo anë,
Syri kundron magjinë n’çdo skaj.
Mbi nota vargëzimesh, lundronë si valë,
Muzën e përkëdhel, ashtu ngadalë.
Fytyrën, buzën, flokët ledhaton,
E ftohtë je, por ti të mrekullon….
Bora e parë, si dashuri e parë,
Ka atë veçantinë të pakrahasuar.
Pemët duken nuse me vello të bardhë,
Ndërsa, ti, mes fjolla fjalësh,
bëhesh poet i stinës të munguar.