Eh, sikur ta dije më parë,
sa dhimbje fsheh një heshtje e gjatë,
në net të zymta pa mbarim,
do më kërkosh… s’do jem më pranë.
Nuk bëj zhurmë kur largohem,
si hije nate që venitet,
prania ime tretet lehtë,
si dritë që shuhet e nuk ndizet.
Si re që era e shpërndan,
pa gjurmë mbetem pas vetes,
humbas thellë në një boshllëk,
që s’e mbush dot asgjë tjetër.
Dhe atëherë do ta ndjesh,
kur dita s’ka më të njëjtën ngjyrë,
se disa ikje vijnë pa zë,
por, lënë thellë një mungesë në shpirt.
