HYMN PER KAZMEN
Mes mijra sendesh prozaike,
Brilante zonjash dorezabardha,
Zgjedh pamjen tënde më fisnike-
Emblema ime e të parëve;
Një ind i prerë nga kurm i pyllit,
Një copë metal nga gjiri i dheut-
Ti je leva e Arkimedit,
Ti je zjarri i Prometeut;
Këndoj për ty, punën këndoj,
Pranvera është stina jote,
Të ashprat këngë lufte harroj,
Kënga jote gjëmon në mote;
Maja e mprehtë-sqep dallandyshje
Rrëmih themele e ngre fole.
Pa ngurim, pa asnjë mëdyshje
Ti s’të nxen asnjë muze;
Dalta jote gdhendi shekujt
Nga Keopsi tek Uoll Striti,
Askush profilin dot s’ta preku
Veç ta prehu, veç ta ndriti;
E lashtë sa buka, po aq e thjeshtë,
E shenjtë si puna, gjuh’ e pastër
Fillesë e artit dhe e shkencës
Shkopi vetë magjik i zanës;
E ngathët dukej, e zbetë, imcake
E lënë në një qoshe skandaloze,
Ti hidhej, ndizej, fluturake
Në duar të ndershme muskuloze;
Shkëndija nxjerr nga guri, stralli,
Gjëmon shkëmbi, ndizet flakë,
Po di të futesh dhe me dhele
Siç hyn gruaja në shtrat;
Jo për trill të fus në vargje,
Herë si penë e herë si skeptër,
Njëlloj do t’i hapësh nesër varret
Si për mua e si për mbretër!
